Shkup, 5 gusht 2024 – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha se i vjen keq për incidentin në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ndërkaq, homologu i tij kosovar, Albin Kurti, tha se një raport zyrtar do të zbardhë gjithë ngjarjen.
Gjatë një konference për media, pas takimit në Shkup me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Mickoski tha se nuk dëshiron që incidente të tilla të përsëriten, teksa shtoi se dy shtetet kanë raporte të mira.
Kryeministri maqedonas tha se herën tjetër kur Osmani të përdorë Aeroportin e Shkupit për udhëtime, ai personalisht do ta shoqërojë “deri në momentin kur të largohet”.
Ai po ashtu tha se autoritetet e Aeroportit në Shkup aplikojnë masa standarde të sigurisë, sa i përket fluturimeve komerciale.
Kurti, ndërkaq, tha se takimi me homologun maqedonas, ishte “i hapur, i sinqertë dhe serioz”.
Kjo vizitë në Shkup e Kurtit, së bashku me një delegacion ministrash, u zhvillua në kohën kur raportet u acaruan për shkak të incidentit në Aeroportin e Shkupit.
Kurti tha se se gjatë takimit, autoritetet maqedonase shprehën sërish keqardhje për ngjarjen ku u përfshi Osmani.
“Ka qenë përvojë dhe përjetim i rëndë i presidentes Osmani më 1 gusht, aq më tepër që ishte me dy vajzat e vogla”, tha Kurti.
Ai tha se po pret një raport, pas hetimit zyrtar, që do të zbardhë të gjithë atë që ka ndodhur.
“Do të ketë një raport zyrtar që do ta zbardhë këtë çështje në tërësi, edhe që të kuptojmë se çfarë saktësisht ka ndodhur, por edhe që të mos na përsëriten më kurrë situata të tilla”, tha ai.
Kryeminsitri kosovar u pyet nëse Kosova mban qëndrimin se kjo ngjarje ishte provokim. Por, Kurti tha se nuk e di që institucionet kanë pasur një qëndrim të tillë dhe këtë mund ta ketë thënë ndonjë “qytetar”, por jo edhe institucionet e Kosovës, duke theksuar se Ministria e Jashtme dhe Diasporës e Kosovës përmes njoftimeve, ka shprehur qëndrimin e Qeverisë.
Por, ngjarjen e ka cilësuar si provokim institucioni i Presidencës së Kosovës.
“Situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”, tha Presidenca përmes një reagimi më 2 gusht.
Gjatë konferencës për media në Shkup, Kurti tha se është optimist se ngjarje të tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen.
“Besoj që duhet ta synojmë të vërtetën dhe kurrsesi tensionimin. Pra, le të zbardhet rasti, janë organet përkatëse që e bëjnë këtë gjë. Kryeministri Mickoski dhe unë nuk mund ta bëjmë tash edhe zyrtarin doganor, edhe policin hetues, edhe Inspektoratin e Policisë, edhe atë që mbikëqyrë sigurimin e Aeroportit e kështu me radhë. Siç u tha në takimin që ishim, po bëhemi ngadalë por sigurt ekspert të shumë detajeve teknike, por unë besoj që sa i përket thelbit të gjësë tashmë jemi përgjigjur dhe masat po ndërmerren”, theksoi Kurti.
Kjo ishte hera e parë që Kurti u deklarua për ngjarjen në Shkup, ku është përfshirë numri një i shtetit të Kosovës, përderisa analistët në Kosovë kanë thënë më herët se dy krerët e shtetit kanë mosmarrëveshje për çështje të ndryshme dhe raportet e tyre kanë pësuar një tjetër “krisje”.
Në delegacionin kosovar për këtë vizitë në Shkup ishte edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, e cila i dërgoi notë proteste Shkupit, por edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe ai i Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu.
Autoritetet në Shkup kanë thënë më herët se kanë nisur hetimet për rastin, ndërkaq Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka thënë se përderisa Osmani ishte duke kaluar nëpër kontrollin kufitar, në momentin që asaj iu kërkua që të linte telefonin e saj që të kalonte përmes skanerit, “një pjesëtar i sigurimit të saj është tërhequr nga një punonjës i aeroportit, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore”.
Nga Ministria e Jashtme maqedonase kanë shprehur keqardhje, për siç kanë thënë, keqkuptimet, që kanë ndodhur gjatë udhëtimit të Osmanit përmes aeroportit në Shkup.
Ndërkaq, nga Aeroporti i Shkupit kanë thënë se e kanë për obligim ligjor të kontrollojnë të gjithë udhëtarët, bagazhet dhe mallrat, përfshirë ata që udhëtojnë nëpër zonën VIP të aeroportit.
Ngjarja në Aeroportin e Shkupit është dënuar nga figura politike opozitare në Maqedoninë e Veriut, edhe nga kryetari i VLEN-it, Arben Taravari.
Koalicioni VLEN është pjesë e Qeverisë maqedonase, të udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja e Mickoskit. Ky koalicion, i përbërë nga parti që më herët ishin në opozitë, ishte përkrahur nga Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, e cila kishte anëtarë në listën zgjedhore të këtij koalicioni.