Prishtinë, 2 janar 2024 – Nga 1 janari, kosovarët gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza nëpër vendet e zonës Schengen, të përbërë prej 27 vendesh evropiane.
Ky proces solli edhe shqetësime për ndikimin që mund ta ketë liberalizimi i vizave te migrimi i të rinjve.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2022, nga Kosova u larguan rreth 41.500 banorë. Ndër arsyet e cekura për emigrim ishte edhe punësimi.
Banka Botërore thotë se, sipas parashikimeve, tregu i punës do të vazhdojë të ndikohet nga migrimi i ligjshëm i fuqisë punëtore edhe pas liberalizimit të vizave, ashtu si edhe në të kaluarën.
Nëpër të njëjtën fazë kaluan edhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut fituan të drejtën e udhëtimit pa viza nëpër Schengen në dhjetor të vitit 2009, ndërsa Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina një vit më vonë.
Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk kishte efekt të dukshëm në numrin e rasteve të identifikuara për punësim të paligjshëm në vendet e Bashkimit Evropian.
Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë kryesisht për vizita turistike apo familjare dhe jo për qëllime punësimi.
Edhe pse numri i rasteve të identifikuara të punësimit të paligjshëm nuk u rrit në mënyrë konstante, disa vende të BE-së shprehën ankesa për një gjë të tillë, veçanërisht ndaj Shqipërisë dhe Serbisë.
Ndërkohë, për Bosnje e Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut e Malin e Zi, liberalizimi i vizave nxiti më shumë sesa vizita turistike: më shumë të rinj filluan të studiojnë nëpër vende të BE-së.
Meqë shtetasit e këtyre vendeve mund të udhëtonin pa viza në vendet e BE-së, numri i rasteve të kalimit ilegal të kufijve u zvogëlua. Mirëpo, në të njëjtën kohë, u rrit numri i rasteve të vizitorëve që tejkalonin kohëzgjatjen e lejuar të qëndrimit në zonën Schengen – deri në 90 ditë brenda gjashtë muajve.
Qëndrimi i tillë ilegal filloi të rritej më së shumti në periudhën prej vitit 2012. Sërish, numri më i madh i rasteve të identifikuara vinin nga Shqipëria dhe Serbia.
Shqipëria dhe Serbia ishin dy vendet që patën më së shumti raste të shtetasve të tyre që u kapën duke përdorur dokumente të rreme për të hyrë në zonën Schengen.
Probleme të tilla si: përdorimi i dokumenteve të rreme, tejkalimi i kohëzgjatjes së lejuar për vizitë etj., bënë që të rritej numri i shtetasve të Ballkanit Perëndimor që iu nënshtruan procedurave të kthimit të detyrueshëm. Sërish, numri më i madh i tyre ishte nga Shqipëria.
Më 2019, Holanda kërkoi që të suspendohej liberalizimi i vizave për Shqipërinë, por Komisioni Evropian vlerësoi se nuk ka kushte për të ndërmarrë një masë të tillë.
Dy vjet më vonë, Presidenca e atëhershme sllovene e BE-së përgatiti një dokument, ku u përmendën shembuj të shumtë të keqpërdorimit të udhëtimit pa viza nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Për vendet e Ballkanit Perëndimor, Komisioni Evropian publikoi pesë raporte të monitorimit të regjimit të liberalizimit të vizave. I fundit, i publikuar më 5 dhjetor të vitit 2022, vlerësoi se të gjitha vendet kanë ndërmarrë masa për t’i plotësuar kërkesat e BE-së dhe se ato vende vazhdojnë t’i plotësojnë kriteret për liberalizim të vizave.
Kushtet për liberalizim të vizave përfshijnë reforma për ta përforcuar sundimin e ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, menaxhimin e migrimit dhe përmirësimin e kapaciteteve administrative në kontroll të kufijve.
Në rast të rritjes së migrimit ilegal nga ndonjë vend, BE-ja ka të drejtë ta suspendojë përkohësisht regjimin e udhëtimit pa viza.
Ky mekanizëm, që u iniciua në vitin 2013, aktivizohet nëse ka rritje për mbi 50 për qind të hyrjeve ilegale nga një vend dhe qëndrimit ilegal, nëse ka rritje për mbi 50 për qind të aplikimeve për azil, nëse ka rënie të bashkëpunimit për kthim të detyrueshëm dhe nëse vlerësohet se ka rrezik të shtuar për sigurinë e shteteve anëtare të BE-së.
(REL)