Gazë, 10 gusht 2024 – Mijëra banorë të Khan Yunisit në jug të Rripit të Gazës po largohen nga zona pas operacionit të ri ushtarak të Izraelit, raporton DW.
Sipas banorëve të zones, familjet e detyruara që të evakuohen po përpiqen të largohen dhe rrugët janë të mbingarkuara. Po sipas banorëve, luftëtarët palestinezë po i sulmojnë trupat izraelite nga rrënojat.
Ushtria izraelite tha se sipas informacioneve të shërbimeve sekrete në këtë zonë ka terroristë, të cilët ishin riorganizuar pas tërheqjes së forcave të armatosura të Izraelit nga ky rajon.
Forcat ajrore të Izraelit i sulmuan më shumë se 30 objektiva të Hamasit, ndër to edhe depo armësh. Sipas ushtrisë izraelite gjatë sulmeve janë vrarë disa terroristë.
Ushtria izraelite ka ndërmarrë në të kaluarën disa herë dhe për periudha të gjata kohore operacione ushtarake kundër njësive luftarake të Hamasit në Khan Yunis, por pas tyre ajo ishte rikthyer në pozicionet e saj të përhershme jashtë qytetit. Ushtria izraelite ishte për herë të fundit aktive në Khan Yunis në korrik, por u tërhoq përsëri në fund të muajit. Sipas zyrës së mediave të kontrolluar nga Hamasi gjatë operacionit të korrikut u vranë 255 vetë dhe u plagosën rreth 300 të tjerë.
(r.m.)