Mijëra mercenarë të Wagnerit kanë arritur në Bjellorusi pas rebelimit të dështuar

Minsk, 25 korrik 2023 – Mijëra mercenarë të grupit të lidhur me Rusinë, Wagner, kanë mbërritur në Bjellorusi që nga rebelimi jetëshkurtër i këtij grupi, ka thënë të hënën një grup vëzhgues ushtarak.

Besohet se 3.450 deri në 3.650 ushtarë kanë shkuar në një kamp afër Asipoviçi, një qytet 230 kilometra në veri të kufirit ukrainas, sipas Belaruski Hajun, grupit i cili i gjurmon lëvizjet e trupave ushtarake brenda vendit.

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i mirëpriti forcat e Wagner-it në vendin e tij, pasi e kishte ndërmjetësuar një marrëveshje mes Kremlinit dhe shefit mercenar Yevgeny Prigozhin muajin e kaluar, duke i dhënë fund rebelimit të dështuar të grupit kundër liderëve të ushtrisë ruse.

Shefi i Wagner-it e quajti rebelimin “marshi i drejtësisë” për t’i rrëzuar liderët kryesorë ushtarakë. Mercenarët u përballën me qëndresë të vogël dhe i rrëzuan të paktën gjashtë helikopter ushtarakë dhe një aeroplan luftarak, duke i vrarë një numër ushtarësh rusë.

Kjo kryengritje ishte kërcënimi më serioz ndaj presidentit rus Vladimir Putin gjatë sundimit të tij 23-vjeçar, duke ia dobësuar autoritetin dhe duke ia nxjerr në pah dobësitë e Qeverisë.

Imazhet satelitore tregojnë se rreth 700 automjete dhe pajisje ndërtimi kanë mbërritur në autokolona të Wagner-it në Bjellorusi, tha Belaruski Hajun.

Prigozhini e ka regjistruar një “kompani për menaxhimin e patundshmërisë” në Bjellorusi javën e kaluar me emër Concord Management and Consulting in Belarus. Dokumentet e analizuara nga mediumi i pavarur bjellorus reform.by, tregojnë se kompania është regjistruar në adresën e njëjtë të fshatit ku është i vendosur kampi mercenar Wagner.

Ndërkohë, zyrtarët vendorë thanë të hënën se mercenarët po vazhdojnë të punojnë me trupat bjelloruse, përfshirë në qendrat stërvitore afër kufirit polak.

“Luftëtarët e Wagnerit, të cilët kanë qenë në zjarrin e luftës, po u japin informacione dhe përvojë të vlefshme ushtarëve tanë”, tha Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë në një komunikatë.

Pas një takimi me presidentin rus të dielën, Lukashenko tha se trupat e Wagner-it po e “stresonin atë” duke i kërkuar ta bëjnë një “ekskursion” në Poloni.

Këto deklarata janë hedhur poshtë nga ekspertët, me Institutin Amerikan për Studimin e Luftës që tha se trupat e Wagner-it nuk mund ta kërcënojnë Ukrainën dhe Poloninë.

“Nuk ka indikacione se luftëtarët e Wagner-it në Bjellorusi kanë armatim të rëndë, që është i nevojshëm për të ndërmarrë ofensivë serioze kundër Ukrainës apo Polonisë, pa riarmatim serioz”, tha Instituti amerikan të dielën.

Nënkryetari i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës së Ukrainës, Vadym Skibitsky, tha se nuk ka “kërcënim direkt” nga mercenarët rusë në Bjellorusi, por se Kievi do t’i mbajë nën vëzhgim luftëtarët e Wagner-it.

“Vlerësimi ynë është shumë i thjeshtë: Sot nuk ka kërcënim direkt (nga Bjellorusia), por ne jemi gati. Ne po vëzhgojmë çdo gjë që lidhet me të ashtuquajturin sistemin e mbrojtjes raketore Wagner”, tha ai.

(REL)