Mijëra qytetarë protestojnë në Podgoricë kundër zgjedhjes së Andrija Mandiqit kryetar i Kuvendit të Malit të Zi

Podgoricë, 30 tetor 2023 – Disa mijëra qytetarë të veshur me simbole kombëtare dhe shtetërore malazeze kanë protestuar të hënën vonë kundër kryetarit të ri të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiqin.

Mandiqi u zgjodh kryetar i Kuvendit të Malit të Zi të hënën gjatë ditës duke marrë mbështetjen e 49 prej 81 deputetëve.

Në protestën e mbajtur para ndërtesës së Kuvendit në Podgoricë, morën pjesë edhe një pjesë e partive opozitare dhe Forumit të Qytetarëve të Lirë “Luça”, duke kërkuar të Mandiqi të mos pranohet si kryetar i Kuvendit malazez.

Për më tepër, ata i kërkuan kryeministrit të ardhshëm të Malit të Zi, Milojko Spajiq, që ta shtyjë regjistrimin e popullsisë të planifikuar për 1 nëntor.

Protestuesit brohoritën “Jo Qeverisë së çetnikëve”, “Vdekje fashizmit” si dhe “Mandiq, largohu”.

“Ne jemi para shtëpisë, e cila simbolikisht, moralisht dhe politikisht bëhet gërmadhë me zgjedhjet e sotme”, tha Pegja Vushuroviq nga Organizata “Luça”.

Me zgjedhjen në krye të Kuvendit, Mandiqi u bë edhe anëtar i organit më të lartë shtetëror për siguri dhe mbrojtje.

Mandiqi është udhëheqës i Demokracisë së Re Serbe – anëtare e Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus (DF) – i cili së voni është riemëruar si koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi.

Prioritete të politikës së jashtme të partisë së Mandiqit janë heqja e sanksioneve kundër Rusisë dhe tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Ajo është, po ashtu, kundërshtare e anëtarësisë së Malit të Zi në NATO.

Në politikën rajonale, Mandiq ka marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe me presidentin e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik.

Ai e mohon edhe gjenocidin në Srebrenicë, ku forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë gjatë luftës së viteve ’90.

Është, gjithashtu, i afërt me ideologjinë e lëvizjes çetnike, e cila ka bashkëpunuar me Gjermaninë hitleriane në Luftën e Dytë Botërore.

Titullin simbolik të dukës çetnik e ka që nga viti 2007.

(REL)