Uashington, 24 korrik 2024 – Mijëra protestues kundër luftës së Izraelit në Gazë, disa prej të cilëve mbanin flamuj palestinezë, u mblodhën të mërkurën para Kapitolit në Uashington, përpara një fjalimi të kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu para anëtarëve të Kongresit.
Një prej pankartave e quante Kryeministrin Netanjahu një “kriminel të kërkuar lufte” në lidhje me një urdhër arresti lëshuar nga prokurorët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
Zoti Netanjahu i mohon me forcë akuzat për krime lufte. Qarkullimi u ndalua në disa rrugë pranë Kapitolit.
“Dua që e gjithë ndihma për Izraelin të pezullohet për shkak të veprimeve të tij në Gaza,” tha Bradley Cullinan, i cili tha se kishte ardhur nga Kolumbus, Ohio, 640 km larg.
Dhjetra ligjvënës demokratë po bojkotojnë fjalimin e zotit Netanjahu në Kongres, duke shprehur shqetësimin për mijëra civilët e vdekur dhe krizën humanitare shkaktuar nga fushata e Izraelit në Gazë.
Anëtarë të një grupi hebre ultra-ortodoks mbanin flamuj palestinezë dhe shenja ku shkruhej “Palestina e lirë” dhe “Anti-zionizmi nuk është antisemitizëm”, ndërsa një grup protestuesish të rinj mbanin pankarta të mëdha ku lexohej “Ndaloni armatimin e Izraelit dhe “Stop Krimeve të luftës në Gazë”.
Grupet pro-palestineze dhe studentët e universitetit kanë protestuar për muaj të tërë në Shtetet e Bashkuara kundër ofensivës së Izraelit në Gazë.
(Zëri i Amerikës)