Milan Radoiçiq arrestohet në Beograd, ndalohet në mbajtje 48 orë

Beograd, 3 tetor 2023 – Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë njoftoi se të martën është arrestuar Milan Radojçiqi, udhëheqësi i grupit terrorist serb që kreu sulmet në Banjskë të Zveçanit, në pjesën veriore të Kosovës, më 24 shtator.

Në njoftim thuhet se Radoiçiqit i është caktuar masa e sigurisë ndalim në polici për 48 orë.

“Më 3 tetor 2023, zyrtarët policorë të Drejtorisë së Policisë Kriminale kanë bastisur banesën dhe lokalet e tjera të Milan Radoiçiçit, të cilit i është caktuar masa e mbajtjes policore për 48 orë”, thuhet në njoftimin e ministrisë. Ai është dërguar në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, pas një kallëzimi penal ndaj tij”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Të premten, përmes avokatit të tij, Radoiçiq e ka marrë përsipër përgjegjësinë për organizimin dhe kryerjen e sulmeve në Banjskë, ku mbetën të vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe tre pjesëtarë të grupit terrorist. Të shtunën, ai u mor në pyetje lidhur me sulmet në Banjskë në një stacion të policisë në Beograd, në cilësinë e qytetarit të lirë.

Pas marrjes së tij në pyetje, organet htimore të Serbisë thanë se rasti i  sulmeve në Banjskë i ka kaluar Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Radoiçiq duhet të gjykohen në Kosovë dhe kanë paralajmëruar se së shpejti do të kërkojnë ekstradimin e tij nga Serbia në Kosovë.

Milan Radoiçiq është person në kërkim nga organet e drejtësisë në Kosovë për disa vepra penale. Ai ishte shpallur në kërkim edhe s ii dyshuari kryesor për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, por fletarresti për të ishte tërhequr pa një shpjegim të detajuar.

Radoiçiq, qysh prej shpalljes në kërkim, jeton e vepron në Serbi. Deri të premten ai ishte nënkryetar i partisë kryesore të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, e cila është themeluar dhe kontrollohet nga Beogradi. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka marrë në mbrojtje sa herë që ai është akuzuar publikisht për veprimtari kriminale, madje edhe kur Radoiçiq është shpallur person “non grata” nga SHBA-ja, si udhëheqës i grupit të organizuar kriminal.

(r.m.)