Milan Radojiçiq shihet në pamjet më të reja të grupit terrorist në Banjskë

Prishtinë, 26 shtator 2023 – Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, publikoi sot (emartë) vidoregjistrime të reja të grupit të terroristëve serbë që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, të dielën.

Në pamjet e publikuara në Facebook, midis pjesëtarëve të grupit terrorist, shihet edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, i cili konsiderohet të jetë ushëheqës i gripit dhe organizator kryesor i sulmeve ndaj policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit.

Të hënën në mbrëmje, një portal në Bosnje raportoi se Radojiçiqi është plagosur gjatë përleshjeve me policinë e Kosovës. Në videoregjistrimin e publikuar nga ministri Sveçla, Radojiçiqi shihet duke ecur me vështirësi.

Policia e Kosovës ekspozoi të hënën arsenalin e armëve, pajisjeve dhe materialeve të ndryshme që ka  gjetur në Banjskë pas sulmeve të grupit terrorist. Ndër të tjera, ekspozoi edhe automjetin që i përkiste Radojiçiqit dhe dokumente personale të tij.

Milan Radojiçiq, i cili është në kërkim të organeve të drejtësisë në Kosovë për disa vepra penale, jeton e vepron në Serbi. Ai është parë shpesh në takimet me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe në ngjarje e evente të ndryshme ku ka marrë pjesë Vuçiqi.

Postimi i plotë i ministrit Sveçla:

Ky në pamjet më poshtë është Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, po ashtu pjesë edhe e Listës së Zezë të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve.

Harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë: Aleksandër Vuçiq përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiq, kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë. Pra, LS e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste.

Ata dështuan.

Ndërkohë, ditët e zisë të shpallura sot nga Serbia dhe Lista Serbe janë tashmë vulosja e autorësisë së këtij organizimi

https://www.facebook.com/watch/?v=165918599893153

(r.m.)