Milanoviq: Evropa po tregohet e pasinqertë me Kosovën

Tiranë, 18 tetor 2023 – President i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka thënë se shtetet e Bashkimit Evropian po tregohen të pasinqerta me Kosovën.

Në një konferencë të përbashkërt për media me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në Tiranë, Milanoviq ka thënë se ai është i vetmi joshqiptar që po kërkon që Kosova të njihet si shtet, pasi, siç ka thënë ai, “vendet evropiane as nuk po e përmendin”.

“Është fakt se unë jam ndër të vetmit që nuk jam shqiptar dhe kam bërë thirrje në Nju Jork për njohjen e Kosovës. Kjo është tema për të cilën folëm edhe me zotin president (Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj). Këtë fakt e di e gjithë Evropa, por nuk do ta përmend. Kjo nuk është gjë e mirë dhe e sinqertë. Kjo është e padobishme, madje e dëmshme për ne. Kemi 12 vjet që dëgjojmë argumente të njëjta dhe ndërsa koha kalon, pengesat po bëhen më të vështira. Shuma pak gjëra po bëhen”, ka thënë ai.

Milanoviq ka folur edhe për sulmin terrorist në Banjskë, në pjesën veriore të Kosovës, më 24 shtator. Ai ka tërhequr paralele midis sulmit në Banjskë dhe atentatit të serbit Gavrillo Princip ndaj trashëgimtarit të fronit austro-hungares, Franc Fedinant dhe gruas së tij, Sophie, që kishte shkaktuar fillimin e Luftës së Parë Botërore, më 1914.

Milanoviq ka thënë se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duhet të vihet nën presion për të dhënë përgjigje lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, por ka vlerësuar se sanksionet ndaj Serbisë nuk mund të kenë ndonjë efekt, pasi ato, si[ është shprehur ai, vetëmsa do ta ndihmonin Vuçiqin të mobilizojë votuesit në Serbi.

“Para dy javësh kam thënë se Serbia dhe Vuçiqi na kanë borxh një përgjigje. Këtë e kam thënë edhe në Zagreb. Për dallim nga viti 1914, kur një i ri e ka vrarë trashëgimtarin e fronit austro-hungarez dhe gruan e tij, nuk ka mundur të krijohej lidhja mes tij dhe bashkëpunëtorëve në Serbi ka shkaktuar një luftë botërore. Autori kishte një armë të kontrabanduar nga Serbia. Sot kemi fakte, dëshmi dhe njerëz që i kanë përjetuar. Vuçiqi nuk është përgjigjur ende. Por, sanksionet nuk sjellin asgjë që do sillnin ndryshimin e qëndrimit politik. Këto sanksione vetëmsa do të ndihmonin pushtetarët të mobilizojnë votuesit”, ka thënë Milanoviq.

“Vuçiqi duhet të jetë nën presion për të na dhënë përgjigje”, ka theksuar ai.

Presidenti Begaj ka thënë se ai dhe mysafiri i tij, Presidenti kroat Milanoviq, e dënojnë sulmin e terroristëvr serbë në Banjskë. Ai e ka falënderuar Presidentin Milanoviq për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën.

(r.m.)