Milanoviq: Shqipëria po paragjykohet në Perëndim si vend musliman

Zagreb, 27 prill 2023 – Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka deklaruar se vendi i tij e mbështet anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjatë konferencës së përbashkët për medie me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në Zagreb, Milanoviq ka thënë se Shqipëria po paragjykohet në Perëndim si vend musliman.

Sipas tij, kjo është arsyeja përse Shqipëria nuk është ende anëtare e Bashkimit Evropian.

“Dëshiroj të jap përkrahjen time të plotë dhe nuk do të humb asnjë rast për të theksuar se sa e rëndësishme është që Shqipëria të bëhet pjesë e shoqërisë evropiane sa më shpejt të jetë e mundur, pasi supozoj që e vetmja arsye që s’ka ndodhur kjo janë paragjykimet ndaj Ballkanit. Nuk dua të gaboj këtu, Shqipëria, teknikisht, në shumicë është një vend i banuar me qytetarë të besimit musliman dhe jo vetëm. Kjo, siç duket, në Evropën Perëndimore është bërë një problem. Ky është fakt. Këtë fakt nuk mund ta luftojmë përveçse me fjalë. Këtë e kam thënë edhe 10 vite më parë në Tiranë, si kryeministër, por asgjë nuk ka ndryshuar. Nëse nuk do ta ndihmojmë Shqipërinë të bëhet sa më parë pjesë e Perëndimit, do të vijë dikush tjetër. Besoj se kjo është mjaft e qartë”, ka theksuar Milanoviq.

Begaj i ka vlerësuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kroacinë dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit midis dy vendeve, si edhe për investimet kroate në fushën e turizmit, energjisë dhe infrastrukturës.

“Marrëdhëniet tona kanë në themel prioritetin dypalësh. E festuam 30 vjetorin dhe kemi krijuar një bazë të mirë bashkëpunimi. Mbetet ende shumë për t’u bërë në këtë drejtim. Investimet kroate janë të mirëpritura në fushën e turizmit, energjisë dhe infrastrukturës. Ka ardhur koha të kemi një linjë ajrore direkte mes dy vendeve. Në marrëdhëniet mes dy vendeve tona ka luajtur rol të rëndësishëm edhe diaspora shqiptare në Kroaci”, ka thënë Begaj.

Presidenti i Shqipërisë e ka vlerësuar mbështetjen që ka dhënë Kroacia për Kosovën.

‘E falënderova presidentin kroat për mbështetjen që i dha Kosovës për liberalizimin e vizave dhe për anëtarësim në organizata të rëndësishme ndërkobëtare. Si dy vende anëtare të NATO-s është e rëndësishme të theksojmë nevojën që edhe Kosova të bëhet së shpejti pjesë e kësaj organizate, por edhe të mbështesim dialogun Kosovë -Serbi për një zgjidhje që do t’i hapë rrugë normalizimit të marrëdhënieve. Kjo do t’i shërbente rajonit dhe jo vetëm”, ka thënë Begaj.

(r.m.)