Milatoviq në Beograd: Me Serbinë kemi dallime për disa çështje, përfshirë çështjen e Kosovës

Beograd, 10 korrik 2023 – Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, deklaroi të hënën në Beograd se Mali i Zi dhe Serbia kanë pikëpamje të ndryshme për disa çështje, përfshirë çështjen e Kosovës.

“Ka tema ku nuk kemi pikëpamje të njëjta. Sigurisht që mes këtyre është edhe çështja e Kosovës. Mendoj se në periudhën e ardhshme Mali i Zi dhe Serbia duhet t’i qasen me një qëndrim më kuptimplotë temave që na ndajnë, duke vënë veten në pozitën e njëri-tjetrit dhe duke folur hapur. Ju e dini se Mali i Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008”, tha Milatoviq, në konferencën e përbashkët për medie me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq.

Por, Millatoviq tha se Mali i Zi i mbështet dialogun Kosovë-Serbi dhe përpjekejtpër tensionet në pjesën veriore të Kosovës.

“Mbështesim dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe duam që ky dialog të përfundojë në dobi të dyja palëve. Nuk jam i lumtur për shkak të tensioneve të krijuara në veri dhe bëj sërish apel për zbutjen e tensioneve dhe mbështes përpjekjet në këtë drejtim”, tha Milatoviq.

Mediet malazeze raportojnë senë fokus të takimeve dyditore të Presidentit të Malit të Zi me autoritetet serbe ishin edhe çështjet e tjera të hapura midis dy vendeve, siç është rivendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Presidenti Milatoviq e quajti “paradoksale” që Serbia dhe Mali i Zi, si partnerë të rëndësishëm ekonomikë dhe si vende “me histori dhe tradita të përbashkëta”, nuk i kanë përfaqësuesit e tyre diplomatikë në Beograd dhe në Podgoricë.

Beogradi ishte vizita parë e Presidentit Milatoviq në një vend të rajonit, tre muaj pasi fitoi zgjedhjet presidenciale të 19 majit ndaj rivalit të  tij, ish-presidentit, Milo Gjukanoviq.

Mali i Zi i kishte bërë Rusinë dhe Serbinë përgjegjëse për grusht shtetin e dështuar që ishte planifikuar të ndodhte në ditën e zgjedhjeve parlamentare të 16 tetorit të vitit 2016. Ky ishte shkaku kryesor për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike midis Podgoricës dhe Beogradit.

Trajtimi i disa deputetëve malazezë nga policia kufitare e Serbisë i kishte rënduar edhe më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve. Policia serbe kishte ndaluar disa orë gjashtë deputetë malazezë që kishin pasaporta diplomatike, për shkak se në vitin 2021 kishin votuar për miratimin e Rezolutës për Gjenocidin në Srebrenicë në Parlamentin e Malit të Zi.

(r.m.)