Millanoviq: Serbia duhet të përgjigjet për sulmin në pjesën veriore të Kosovës

Zagreb, 10 tetor 2023 – Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, tha se Serbia duhet të japë përgjigje lidhur me sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.

“Qëndrimi ynë është i qartë. Serbia duhet të na japë përgjigje për disa gjëra të dukshme që nuk mund t’i shpëtojnë vëmendjes as të një fëmije të vogël”, tha Millanoviq, në konferencën e përbashkët për media me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në Zagreb.

Ai theksoi se sulmi i grupit të armatosur të serbëve në pjesën veriore të Kosovës nuk ka mundur të organizohet dhe të kryhet pa dijeninë e Beogradit.

“Kush ishin ata? Nga erdhën? Kush i financoi? Këto janë gjëra që i kemi parë në histori dhe nuk duam t’i shohim më. Dikush qëndron pas sulmit dhe ne duhet ta dimë këtë”, theksoi Millanoviq.

Presidenti kroat theksoi se është e domosdoshme të zhvillohen hetime të thella e të gjithanshme, në mënyrë që “një ngjarje e tillë në të ardhmen, në një shkallë tjetër, nuk duhet të lejohet që të ndodhë”.

Ndërkaq, Presidentja Osmani tha se situata në pjesën veriore të Kosovës vazhdon të jetë shumë e rëndë pas agresionit të sponsorizuar nga Serbia, më 24 shtator, ajo shfaqi shpresën se partnerët ndërkombëtarë të Kosovës do të ndërmarrin veprime të vendosura për të ndaluar përpjekjet e Serbisë për destabilizimin e Kosovës dhe të  gjithë rajonit.

“Kosova në periudhën e fundit po përballet me një ndër situatat më të rënda në 25 viteve të fundit, për shkak të veprimeve hibride – aktiviteteve terroriste dhe agresionit – të sponsorizuara dhe urdhëruara nga Serbia. Prandaj, shpresoj që partnerët ndërkombëtarë do të ndërmarrin veprime të vendosura për ta ndaluar përpjekjet e Serbisë për destabilizim, jo vetëm të Kosovës, por gjithë rajonit”, tha ajo.

Presidentja Osmani tha se Kroacia është ndër shtet e pakta të Evropës që e kuptojnë sfidën me të cilën po përballet sot Kosova. Ajo tha se synim i Serbisë është aneksimi i pjesës veriore të Kosovës, siç ka ndodhur mëe  Kroaci në vitet ’90.

“Ka pak shtete në Evropë që e kuptojnë sfidën me të cilën po përballemi ne në Kosovë, Kroacia në vitet ‘90 u përball edhe vetë me një matricë të ngjashme të agresionit, duke u përballur me serbët e mbështetur nga regjimi i atëhershëm në Serbi. Presim mbështetjen e Kroacisë për të përballuar sfidat e sigurisë, të cilat mund të kenë pasoja edhe më shumë vende në rajon”, u shpreh ajo.

“Nëse sot nuk merren masa nga ndërkombëtarë, Serbia do të vazhdojë me sulme tjera ndaj Kosovës”, theksoi ajo.

Presidentja Osmani ndodhet në vizitë në Kroaci me ftesë të Presidentit Millanoviq. Ajo e cilësoi këtë vizitë si dëshmi të marrëdhënieve të shkëlqyeshme midis Kosovës dhe Kroacisë.

“Shtetet tona ndajnë vizon të përbashkët. Kjo vizitë është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyeshme. Ne e shohim Kroacinë si njëfrin ndër aleatët kryesorë. Na lidh historia e përbashkët, përpjekjet për liri dhe për shtet”, tha Presidentja Osmani.

(r.m.)