Uashington, 1 korrik 2023 – Dështimi i forcave ukrainase për të bërë përparime të shpejta në ofensivën kundër trupave ruse nuk po shkakton panik në mesin e zyrtarëve të lartë ushtarakë amerikanë.
Zyrtarët ukrainas kanë shprehur zhgënjimin e tyre ditët e fundit, duke i bërë thirrje Uashingtonit dhe Perëndimit që t’i ofrojnë armatim më të avancuar për të ndihmuar në shkatërrimin e pozicioneve mbrojtëse ruse dhe për të rimarrë më shumë territor.
Por zyrtarët amerikanë mbeten të bindur se kundërofensiva e Ukrainës do të sjellë rezultate, edhe nëse do të duhen gjashtë deri në tetë javë përpara se forcat ukrainase të bëjnë përparime më thelbësore.
“Lufta në letër dhe lufta e vërtetë në terren janë dy gjëra të ndryshme”, tha komandanti i shtatmadhorisë amerikan, Gjenerali Mark Milley, gjatë një diskutimi në Uashington të premten.
“Fakti që po ecën më ngadalë nga sa parashikuan njerëzit nuk më befason aspak”, tha gjeneral Milley në Klubin Kombëtar të Shtypit, duke vënë në dukje se forcat ukrainase po “përparonin në mënyrë të qëndrueshme dhe të organizuar”.
“Do të jetë shumë e vështirë, shumë e gjatë, shumë e përgjakshme dhe askush nuk duhet të ketë iluzione për këtë”, tha ai.
Më herët të premten, gjenerali më i lartë i ushtrisë së Ukrainës tha për gazetën The Washington Post forcat e tij kishin nevojë të madhe për municion dhe armatime të tjera të avancuara.
“Kjo më zemëron shumë”, tha Valery Zaluzhny, komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës. “Kjo nuk është një shfaqje. Nuk është një shfaqje të cilën e gjithë bota po e shikon dhe vë baste. Çdo ditë, çdo metër jepet me gjak.”
“Pa një furnizim të duhur me armë dhe municione, këto plane nuk janë aspak të realizueshme”, shtoi ai, duke kritikuar Perëndimin për shtyrjen e planeve të luftës që mbështeten në epërsinë ajrore, të cilën as Ukraina dhe as Rusia nuk kanë qenë në gjendje ta sigurojnë.
Kërkesat për më shumë armë
Komandanti Zaluzhny dhe zyrtarë të tjerë ukrainas u kanë bërë thirrje në mënyrë të përsëritur Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tjerë që të ofrojnë jo vetëm tanke dhe automjete të blinduara, por edhe bomba thërrmuese, raketa me rreze të gjatë veprimi dhe avionë luftarakë modern F-16.
Deri më tani, Shtetet e Bashkuara kanë hezituar t’i japin Kievit sisteme të tilla, megjithëse Uashingtoni ka thënë se do t’i lejojë aleatët e tij t’i ofrojnë Ukrainës avionët e prodhuar në Shtetet e Bashkuara dhe po trajnojnë pilotët ukrainas për t’i drejtuar avionët F-16. Uashingtoni thotë se është përqëndruar në furnizimin e Ukrainës me sisteme dhe armë që forcat e tyre mund t’i dislokojnë menjëherë në vijat e frontit.
Gjeneral Milley tha se kërkesat e Kievit nuk po injoroheshin.
“Sistemet raketore “ATACMS”, avionët F-16 dhe çdo gjë tjetër është në një proces rishikimi të vazhdueshëm”, tha ai. “Këto gjëra janë duke u shqyrtuar. Nuk është marrë asnjë vendim për këtë.”
Gjeneral Milley tha se Shtetet e Bashkuara nuk e kanë përjashtuar mundësinë e furnizimit të Ukrainës me municione thërrmuese, pavarësisht shqetësimeve të disa aleatëve për dëmin që këto bomba shkaktojnë.
Përdorimi i bombave ose predhave, të cilat hapen në ajër dhe hedhin bomba ose predha më të vogla mbi një zonë shumë më të gjërë, kundërshtohet nga një numër organizatash humanitare, të cilat thonë se ato kanë një shkallë të lartë dështimi dhe shpesh shkaktojnë viktima në mesin e civilëve.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksii Reznikov ka thënë se forcat e Kievit kanë çliruar me sukses nëntë vendbanime në rajonet Donetsk dhe Zaporizhzhias, megjithëse sulmi kryesor ende nuk ka filluar.
Kufiri verior
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka kërkuar udhëheqjes së tij të lartë ushtarake të forcojë sektorin ushtarak verior të Ukrainës pas mbërritjes në Bjellorusi të udhëheqësit mercenar rus Yevgeny Prigozhin.
Presidenti Zelensky nuk e përmendi emrin e shefit të grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin në postimin e shkurtër në Telegram.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara do të “vazhdojnë të monitorojnë aktivitetet e grupit Wagner kudo në botë dhe ne do të vazhdojmë t’i mbajmë ata përgjegjës për veprimet e tyre të dhunshme, skandaloze, vdekjeprurëse dhe të paligjshme. Ata janë ende të aftë për të kryer veprime të tilla.”
Pas zmbrapsjes së forcave ruse nga rajonet veriore vitin e kaluar, Ukraina ndërmori hapa për të forcuar mbrojtjen e kufirit të saj me Bjellorusinë, një aleat i ngushtë i Rusisë.
Yevgeny Prigozhin mbërriti në Bjellorusi të martën, në bazë të një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Presidenti Alexander Lukashenko, që i dha fund rebelimit të mercenarëve të tij në Rusi të shtunën.
(Zëri i Amerikës)