Milo: E ardhmja e “Open Ballkan” nuk duket se mund të jetë shpresëdhënëse

Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo tha se “pavarësisht qeverisë që do të krijohet në kushte normale pas dorëheqjes së kryeministrit verimaqedonas Zoran Zaev do të vazhdojë linjën e tij sepse është e njëjta parti”

Knid Ndrenika

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo tha se është e dyshmitë nëse nisma e “Ballkanit të Hapur” do të vazhdojë në rrethanat e mundshme që do të krijohen, pas dorëheqjes së kryeministrit verimaqedonas Zoran Zaev prej humbjes në zgjedhjet vendore.

Zoti Milo tha se nëse opozita VMRO/DPNE fituese e zgjedhjeve do të qëndrojë në kundërshtimin e “Ballkanit të Hapur”, sikurse është deklaruar në vazhdimësi, kjo nismë në të ardhmen nuk duket se “mund të jetë shpresëdhënëse”.

Për ish-ministrin e Jashtëm, Milo, “pavarësisht qeverisë që do të krijohet në kushte normale pas dorëheqjes së Zaev do të vazhdojë linjën e tij sepse është e njëjta parti”.

Sipas zotit Milo “perspektiva është që e ndodhur nën trysni nga opinioni publik dhe nga opozita të mundet që Maqedonia e Veriut, me qeverinë e re që do të krijohet të mos e shohë me entuziazëm lëvizjen “Open Ballkan” dhe mund të ndodhemi para abstenimeve për lëvizjen e mëtejshme të kësaj nisme”.

Socialdemokrati Zaev nuk do të marrë pjesë në takimin e paramenduar të Beogradit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentin e serbëve Aleksandër Vuçciq më 3 dhe 4 nëntor.

Zoti Milo i bëri komentet në televizionin “Ora News” ku shtoi gjithashtu se në ditët e ardhshme do të ketë elementë të tjerë për të gjykuar ecurinë e Maqedonisë së Veriut.