Ministrat e BE-së do të miratojnë sot vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën

Bruksel, 9 mars 2023 – Ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian do të miratojnë sot vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Vendimi do të miratohet pas diskutime, pasi për këtë ishin pajtuar përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare të BE-së.

Diplomatët në BE thonë se, aktualisht, gjithçka në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën po shkon sipas planit dhe se afati i hyrjes në fuqi mbetet 1 janari i vitit të ardhshëm.

Burime në BE pohojnë se tashmë nuk shohin ndonjë pengesë në këtë proces, i cili pritet të finalizohet formalisht deri në fund të presidencës suedeze të BE-së, që përfundon më 31 qershor.

Ata thonë se vendimi do të jetë gati për të hyrë në fuqi, jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.

Sipas vendimit të përfaqësuesve të përhershëm të vendeve të BE-së, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të niste kur të funksionalizohej plotësisht sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), por jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

Deri vonë ishte besuar se ky sistem do të hynte në fuqi deri më 1 nëntor të këtij viti, por ky afat është shtyrë për vitin 2024.

Kur të hyjë në fuqi ky sistem, qytetarët që duan të vizitojnë vendet e BE-së pa viza duhet paraprakisht të regjistrohen përmes tij dhe të marrin një autorizim i cili është i vlefshëm tre vjet. Për këtë shërbim qytetarët do të paguajnë 7 euro, kurse për ata të moshës nën 18 vjeç dhe për ata mbi 70 vjeç do të jetë falas.

(r.m.)