Ministrat e Procesit të Berlinit kërkuan hetim të plotë për sulmin në veri të Kosovës

Tiranë, 6 tetor 2023 – Krijimi i një atmosfere pajtuese në Ballkanin Perëndimor, përmirësimi i gjendjes ekonomike, perspektiva europiane tyre dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis e vendeve të këtij rajoni ishin në fokus të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të përfshira në Procesin e Berlinit , i cili i paraprin samitit që do mbahet po në Tiranë, më 16 tetor.
Por, objekt i diskutimeve në samit ishte edhe sulmi i një grupi të armatosur serb në veri të Kosovës më 24 shtator dhe pjesëmarrësit kërkuan hetim për zbardhjen e plotë të këtij sulmi dhe uljen e Prishtinës dhe Beogradit në tyrezën e bisedimeve.
Baerbock: Sulm tinëzar nga një bandë terroriste
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë Annalena Baerbock kërkoi hetim nga Serbia për sulmin e ndodhur në veri të Kosovës më 24 shtator, ku mbeti i vrarë efektivi i policisë kosovare Afrim Bunjaku.
Në konferencën për shtyp pas samitit të Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Tiranë, Baerbock u shpreh se provokimet e palës serbe përmes rritjes së prezencës së trupave në kufi me Kosovën e kanë tensionuar edhe më tepër situatën:
“Kjo ndodh pas një sulmi tinëzar ndaj policisë kosovare nga një bandë terroriste e armatosur gjer në dhëmbë. Presim që Serbia të çojë përpara hetimin për sulmin e 24 shtatorit dhe ngjarjes së majit ndaj ushtarëve të KFOR”, u shpreh kryediplomatja gjermane.
Baerbock shtoi më tej se NATO ka rritur praninë e KFOR-it duke rritur kështu edhe vigjilencën. Megjithatë, sipas saj, “çelësi i zgjidhjes së konfliktit është në Beograd dhe në Prishtinë”.
Në të njejtën linjë u shpreh edhe komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili nga Tirana kërkoi që Serbia dhe Kosova t’i rikthehen dialogut, ndërsa autorët e sulmit të dalin përpara drejtësisë.
“Të rikthehet dialogu dhe në këtë punë të jepen rezultate duke vënë në zbatim marrëveshjet e mëparshme përfshirë edhe atë në Ohër. Autorët duhet të sillen para drejtësisë, autoritetet serbe të bashkëpunojnë me BE-në për këtë çështje”, tha Varhelyi.
Në rolin e mikpritësit të Ministerialit dhe si bashkëdrejtues i konferencës për shtyp, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, ripërsëriti të njejtin qëndrim ndaj sulmit në Kosovë.
“Serbia të nisë një hetim serioz për grupin terrorist kriminal të përfshirë në sulmin e armatosur në veri të Kosovës, si dhe lidhjet e këtij grupi me trafikantët e armëve dhe individëve apo subjekteve të tjera në Serbi”, u shpreh Hasani.
Daçiq “bojkoton” fotografinë familjare
Përpara nisjes së takimit me dyer të mbyllura, ministrat e jashtëm realizuan fotografinë zyrtare, një traditë në të tilla ngjarje. Megjithatë në të mungoi ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç, i cili ndonëse mori pjesë në takim nuk u rreshtua përkrah homogëve të tij. Ky distancim erdhi pasi shefja e diplomacisë gjermane Analena Baerbock kërkoi që fotografia të realizohej përpara flamujve të shteteve pjesëmarrëse në ministerial, mes të cilëve ishte edhe ai i Kosovës.
E pyetur gjatë konferencës për shtyp, ministrja gjermane nuk pranoi ta komentonte, sikundër as ministri Hasani.
“Nuk do doja të flisja për qëndrimet e kolegëve, por vetëm për atë që unë bëra. Unë respektoj protokollin e formatit të Procesin e Berlinit, prandaj i ftova të gjithë të pranishmit të më bashkoheshin që foton e familjes ta bënim pranë flamujve tanë respektiv”, u shpreh Hasani.
Shpresë për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor
“Takime të tilla ngjajnë pak teknike, por e thënë me pak fjalë janë për të ardhmen e këtij rajoni dhe të ardhmen e gjeneratës së re, që e shikon paqen dhe sigurinë të garantuar brenda BE-së”, u shpreh ministrja e Jashtme e Gjermanise, Annalena Baerbock, për takimin e parë të “Procesit të Berlinit” që zhvillohet për hërë të parë në Ballkanin Perëndimor.
“Duhet të përshpejtojmë ritmin e anëtarësimeve në BE. Ajo që ndodhi në Kiev na e bëri më të qartë që anëtarësimi i rajonit në BE është i domosdoshëm në aspektin gjeopolitik”, shtoi më tej Baerbock.
Po ashtu Komisioneri për Zgjerimin tha se Ballkani Perëndimor është përparësi kyçe.
“Ne kemi sjellë planin e investimeve ekonomike, kemi mobilizuar një të tretën e PPB-së në të gjithë rajonin. Ky plan do të ketë për synim edhe përshpejtimin e integrimit ekonomik, duke krijuar mundësi për Ballkanin Perëndimor të integrohet në tregun e BE-së ende pa u bërë anëtar”, u shpreh komisioneri per zgjerimin nga Ministeriali i “Procesit te Berlinit”.
Procesi i Berlinit është një nismë diplomatike, e inicuar nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel në gusht 2014 për t”i dhënë impulse të reja dhe përshpejtuar ritmet e hyrjes së BP në BE.
Lufta e Rusisë në Ukrainë e ka shndërruar në një prioritet gjeostrategjik të BE përshpejtimin e ritmeve të procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor.
(dw)