Ministres së Serbisë i ndalohet hyrja në Kosovë

Prishtinë, 11 qershor 2021 – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës nuk ia ka lejuar hyrjen në Kosovë ministres së Punës në Qeverinë e Serbisë, Darija Kisiq – Tepavçeviq.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, përmes një njoftimi për media, bëri të ditur se Tepavçeviq kishte kërkuar të hyjë në Kosovë të enjten në mbrëmje.

Në njoftim thuhet se ministres Tepavçeviq nuk i është lejuar hyrja në Kosovë, ndonëse të gjitha procedurat për vizitë ishin kryer para se ajo të nisej për në Kosovë.

Sipas njoftimit, Tepavçeviq kishte planifikuar ta mbante një provim me studentët e vitit të tretë të Departamentit të Epidemiologjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Mitrovicën Veriore.

“Profesoresha Kisiq-Tepavçeviq njoftoi shkuarjen në pozitën e profesoreshës dhe jo në cilësinë e ministres. Sidoqoftë, autoritetet në Prishtinë sonte, pa ndonjë arsye, përmes oficerit të pikës kufitare e refuzuan atë të hynte në Kosovë”, thuhej në njoftimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Lajmin për refuzimin e kërkesës së ministres së Serbisë në Kosovë e ka konfirmuar ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk i ka aprovuar kërkesën për hyrje në Kosovës znj. Darija Kisiq – Tepavçeviq”, ka thënë kjo ministri për grupin  “Koha”, por nuk ka treguar arsyet e refuzimit.

(r.m.)