Ministri i Brendshëm i Serbisë: E dimë saktësisht kush është vrasësi i Oliver Ivanoviqit

Beograd, 21 qershor 2023 – Ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratisllav Gashiq, tha më 21 qershor se autoritetet serbe e dinë “saktësisht” se kush e ka vrarë Oliver Ivanoviqin, politikanin serb nga veriu i Kosovës.

“E dimë saktësisht se kush është vrasësi”, tha Gashiq, në seancën e Parlamentit të Serbisë, të thirrur nga opozita, e cila po kërkon shkarkimin e tij.

Gashiq tha se policia serbe e ka kërkuar këtë person nga autoritetet gjermane “nën mbrojtjen e të cilëve ai është”.

“Ne kemi një video nga aeroporti i Tiranës, kemi fotografi nga Prishtina, kemi fotografi të tij duke hyrë në një banesë në Prishtinë”, tha ai.

Por, Gashiq nuk ofroi asnjë detaj apo dëshmi për të mbështetur këto pretendime. Ai tha se ky rast “është zgjidhur nga profesionistët”, por ata nuk kanë pranuar imazhe satelitore të skenës ku është kryer vrasja.

Sipas ministrit serb, këto imazhe ishin kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë, por këta të fundit janë arsyetuar se në ditën e vrasjes “kishte qenë ditë me mjegull”.

Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, me gjashtë plumba në shpinë. Vrasja u krye para zyrës së partisë së tij në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Mbi pesë vjet pas kësaj vrasjeje, rasti ende nuk është zgjidhur.

Prokuroria Speciale e Kosovës deri më tani ka ngritur tri aktakuza, por në to nuk ka pasur ndryshime thelbësore, gjegjësisht përmenden vetëm personat që “me vetëdije dhe qëllim kanë ndihmuar grupin kriminal për kryerjen e veprës penale të vrasjes së Oliver Ivanoviqit”, por jo autori i vrasjes apo porositësi.

Aktakuza janë ngritur ndaj zyrtarëve policorë Nedelko Spasojeviq, Radeta Basara, Zharko Jovanoviq, por edhe ndaj sekretares së Ivanoviqit, Sillvana Arsoviq dhe Marko Roshiq, qytetar i Mitrovicës së Veriut.

Më 19 tetor 2022, Policia e Kosovës arrestoi pjesëtarin e komunitetit serb, M.M, nën dyshimet se ai është anëtar “i një grupi të organizuar kriminal” të lidhur me vrasjen.

Edhe Zyra e Prokurorisë Speciale e Serbisë po kryhen hetime për vrasjen e Ivanoviqit.

(r.m.)