Ministri i Brendshëm i Serbisë e nderon Slobodan Millosheviqin

Beograd, 11 mars 2022 – Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, e ka madhuar figurën më të urryer të botës liridashëse e demokratike pas Luftës së Dytë Botërore, kriminelit më zulmëmadh të luftës, Sllobodan Millosheviq.

Të premten, me rastin e 15 vjetorit të vdekjes së tij, Vulin, bashkë me drejtues të forumeve të Lëvizjes së Socialistëve të Serbisë, të cilën e udhëheq ai, ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora lulesh te varri i Millosheviqit, në Pozharevc.

Ai ka thënë se Millosheviqi meritonte  dhe Meriton të nderohet e të respektohet për luftën e zhvilluar në Kosovë.

“Të gjithë ata që flasin sot për nevojën e respektimit të së drejtës ndërkombëtare duhet të pranojnë se Sllobodan Millosheviqi bashkë me popullin serb, në vitin 1999 e mbrojti të drejtën ndërkombëtare në Kosovë, prandaj do të duhej ta respektonin. Sllobodan Millosheviqi ka merituar respekt për luftën e tij, nuk ka merituar të shitej dhe në fund të vdiste në Hagë”, ka thënë Vulin.

“Historia do të jetë shumë më e drejtë për Sllobodan Millosheviqin se sa ishin bashkëkohësit e tij. Sllobodan Millosheviq, kudo që jetojnë serbët, gëzon shumë më shumë respekt, mirënjohje dhe dashuri se sa ata që e kanë shitur dhe e kanë ekstraduar në Hagë”, ka shtuar ai.

“Slobodan Millosheviqi, me jetën dhe vdekjen e tij, e ka merituar respektin e Serbisë e të serbëve, si edhe të të gjithë njerëzve që i respektojnë luftëtarët për liri”, ka thënë ai.

“Jo të gjithë miqtë e Sllobodan Millosheviqit kanë qenë miq të tij dhe as miq të Serbisë, por të gjithë armiqtë e Sllobodan Millosheviqit kanë qenë armiq të vërtetë të Serbisë. Historia do ta dëshmojë këtë”, ka theksuar Vulin.

Në regjimin e Millosheviqit, Aleksandar Vulin ka qenë zëdhënës i të Majtës së Bashkuar Jugosllave (Jugoslovenska Udružena Levica – JUL), e cila ishte themeluar nga bashkëshortja e Millosheviqit, Mirjana Markoviq. JUL ishte pjesë e koalicionit qeverisës në Serbi, të udhëhequr nga Millosheviqi.

Vulin nuk është i vetmi prej liderëve të sotëm politikë në Serbi që e madhëron figurën e Millosheviqit dhe e nderon për gjakderdhjet në hapësirën e ish-Jugosllavisë, sidomos në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë. Pak vite më pare figurën e Millosheviqit e ka madhëruar edhe Presidenti actual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Madje, ai e ka bërë këtë gjatë një vizite në Kosovë.

Slobodan Millosheviq ka vdekur më 11 mars të vitit 2006 në njësinë e paraburgimit të Tribunalit të Hagës, në Sheveningen. Ai ishte i akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Ai ishte urdhërdhënës ose përgjegjës për shumë krime monstruoze që forcat shtetërore dhe paramilitare të Serbinë kanë kryer në Bosnjë e Hercegovinës dhe në Kosovë.

Ai ishte varrosur në oborrin e shtëpisë familjare në Pozharevc.

(r.m.)