Ministri i Jashtëm i Serbisë: Me Kurtin nuk ka dialog

Beograd, 30 janar 2022 – Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq, e ka fajësuar Kryeministrin e Kosovës për ngecjen e dialogut midis dy vendeve.

Të dielën, më 30 janar, ai kathënë se prej kur Kurti ka ardhur në kryer të Qeverisë së Kosovës nuk ka pasur dialog mes Prishtinës dhe Beogradit dhe se ndoshta as nuk do të ketë.

“Qëndrimi ynë dhe ajo që nuk ndryshon është se ne jemi gjithmonë të gatshëm të ulemi në tryezën e bisedimeve dhe të bisedojmë. Është e qartë për ne se, prej kur Kurti ka nisur udhëheqësinë në Prishtinë nuk ka pasur dialog dhe ndoshta nuk do të ketë, përderisa ai vendos”, ka thënë Selakoviq për Radio Televizionin e Serbisë (RTS), transmeton Radio Evropa e Lirë.

Sipas tij, Beogradi zyrtar është i përkushtuar ndaj dialogut dhe ruajtjes se paqes dhe po merr vendime të peshuara e të mençura.

Selakoviq ka thënë se temë qendrore e bisedimeve me të dërguarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, javën e ardhshme, do të jetë çështja e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës dhe gjithçka që rëndon këto marrëdhënie në rrugën drejt normalizimit.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim marrëdhëniesh, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel ka nisur më 2011.

Albin Kurti prej kur është bërë kryeministër i Kosovës i ka zhvilluar dy takime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në të dyja rastet palët kanë mbajtur qëndrime të papajtueshme.

BE-ja ka thënë se një takim të ri mes Kurtit dhe Vuçiqit do të organizojë vetëm atëherë kur palët të tregojnë gatishmëri për të rënë dakord për rezultate konkrete në të mirë të qytetarëve të tyre.

(r.m.)