Ministri i Jashtëm i Shqipërisë midis nxënësve të Shkollës Shqipe “Alba Life” në Brooklyn

Nga Keze Kozeta Zylo

Sytë e mësueseve shkrepin zjarr,

Kur ABC-në ne mësojmë,

Në Amerikë ndizet një far,

Si Hënë e plotë ne ndriçojmë.  (K. Z.)

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë z. Igli Hasani i shoqëruar nga Ambasadorja e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara Dr. Suela Janina vizituan mjediset e klasave në shkollën publike amerikane PS: 205 në Brooklyn.  Kjo është njëra prej Shkollave Shqipe të Alba Life” e cila operon në të gjitha lagjet e Nju Jorkut dhe në Online.

Në hyrje të shkollës z. Igli Hasani u mirëprit nga z. Qemal Zylo themelues dhe drejtor i Shkollave Shqipe i cili e drejtoi për t’u takuar me nxënësit, mësuesit dhe prindërit.  Dy nxënëset Dastida Gashi dhe Jerina Hyseni iu dhuruan nga një buqetë me lule z. Hasani dhe Dr. Janina.

Kur ne po ngjiteshim lart nëpër klasa policia e sigurimit të shkollës na tha se ne ndihemi të privilegjuar që këtë shkollë po e viziton një ministër i jashtëm shqiptar dhe ju urojmë gjithmonë suksese.  Shkollat Shqipe “Alba Life” kanë 18 vjet që e ushtrojnë këtë Mision Kombëtar dhe natyrisht jo vetëm mësimi i Gjuhës Shqipe nuk ka qenë i lehtë, por edhe për t’i mbajtur këto shkolla do shumë korrektësi dhe kulturë profesionale.

Vizitën e parë Ministri i Jashtëm z. Igli Hasani e bëri pranë klasës së mësuese Rozeta Hyseni.  Z. Qemal Zylo pasi i uroi mirëseardhjen z. Hasani dhe e falënderoi për kohën i foli shkurtimisht rreth historikut të kësaj shkolle. Zoti Zylo i mëshoi fort sjelljes së librave nga Shqipëria, pasi sigurimi i tyre si themelues çdo vit na ka dhënë shumë vështirësi.  

Zoti Igli Hasani përshëndeti përzemërsisht nxënësit mësuesit dhe iu uroi të gjithëve suksese të mëtejshme.  Ai falënderoi themeluesit, mësueset e Brooklinit si Fatlinda Bajçinca Gashi , Rozeta Hyseni si dhe dy mësueset e Staten Island ardhur enkas për këtë takim si Entela Muda dhe Elona Shkreta per kontributin e tyre dhe sakrificat për të ruajtur Gjuhën Shqipe në Amerikë. Vazhdoni ta mësoni Gjuhën Shqipe porositi ministri, sepse është identiteti ynë kombëtar është trashëgimia jonë më e vyer kombëtare.  Pastaj së bashku me Ambasadoren Janina iu ndanë plot dashuri abetaret nxënësve.  Mësuese Rozeta Hyseni pasi i përshëndeti dhe iu uroi mirëseardhjen kishte përgatitur një program të shkurtër artistik.  Nxënësit e vegjël që fillojnë nga mosha katër vjeç kërcyen vallen shqiptare kapur dorë për dore si yje qielli, valle që po e përgatisin për Festën e Flamurit. 

Nxënësja Bora Alikaj tha se unë jam Bora nga Vlora dhe intepretoi vargje të bukura patriotike para të pranishmëve. 

Në klasën e më të rriturve z. Igli Hasani u mirëprit nga mësuese Fatlinda Bajçinca Gashi bashkë me nxënësit e saj.  Mësuese Fatlinda Bajçinca Gashi pasi iu uroi mirëseardhjen foli për punën e madhe që bëhet në Shkollën Shqipe “Alba Life” plot profesionalizëm dhe kulturë. Ne vazhdojmë t’ju mësojmë nxënësve traditat tona të mrekullueshme dhe kulturën e lashtë të Kombit tonë. Ministri i Jashtëm Hasani iu uroi të gjithëve punë të mbarë dhe tha se ndihem i lumtur të jem këtu midis jush si e ardhmja e Diasporës. Fjala e tij elekuente, atdhetare ishte frymëzuese për nxënësit, mësuesit.  Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë z. Igli Hasani më parë ka mbajtur pozicionin e Koordinatorit të OSBE për çështjet ekonomiko-ambientale. Ky ishte pozicioni më i lartë i mbajtur nga një shtetas shqiptar në OSBE, që prej anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatë, në vitin 1991.

Mësuese Fatlinda kishte përgatitur me nxënësit një program të shkurtër.  Nxënësit performuan bukur Porosine e fundit të Skënderbeut, Heroit tonë Kombëtar.  Fjala e fundit që ata thanë në grup ishte: Betohemi!  Ishte nje betim solemn që s’do të shuhet kurrë për Atdheun, amanet nga Heroi ynë i madh Gjergj Kastriot Skënderbeu. Nxënëset e talentuara si Laura Leka, Jerina Hyseni, Alia Martini, Ema Martini, Reyan Leka intepretuan poezitë si: Mësueses sime, Sa të dua o Atdhe, Flamuri etj…

T’ju mësosh Gjuhën Shqipe fëmijëve në Diasporë është Mision Kombëtar thotë z. Zylo sepse nëse fëmijët tanë humbin gjuhën do të humbasin kontaktet më shumë me Atdheun, nuk do të njohin historinë, të gjithe librat e vyer, poezitë, tregimet, këngët. Dhe këto gjëra janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për të gjithë ne si shqiptarë në Diasporë.

Në fund të programit nxënësit e rritur shkonin të bënin fotografi me Ministrin dhe Ambasadoren çka ishte një kënaqësi për ta dhe natyrisht do t’ju ngelet një kujtim i bukur jetësor.

Takimi me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë z. Igli Hasani me nxënësit e “Alba Life” u filmua dhe u fotografua nga dy mjeshtra të medies z. Amir Suka dhe z. Dritan Haxhia të cilët i falënderojmë dhe ju jemi mirënjohës.

25 tetor, 2024

Brooklyn, New York