Kiev, 27 janar 2022 – Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se grumbullimi i trupave ruse në afërsi të kufirit me Ukrainën, po rritet çdo ditë, teksa shqetësimet janë rritur se ky grumbullim ushtarak është përgatitje për një pushtim të Ukrainës nga Rusia.
Rusia ka vendosur mbi 100,000 trupa në kufi me Ukrainën dhe sipas inteligjencës perëndimore, ka mbajtur një sërë stërvitjesh ushtarake në këtë zonë. Javën e kaluar, inteligjenca ukrainase tha se numri i trupave të grumbulluar ishte 127,000.
Kuleba, që foli gjatë një konference për media në Kopenhagë më 27 janar, tha se nëse Rusia – që më 2014 ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë – vendos që të sulmojë, Kievi kësaj radhe do të “kundërpërgjigjet”.
Komentet e Kulebës vijnë një ditë pasi Shtetet e Bashkuara refuzuan kërkesën e Moskës që NATO të ndalojë anëtarësimin e Ukrainës në këtë aleancë ushtarake, dhe ofroi “një rrugë serioze diplomatike” për zgjidhjen e krizës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i ka dërguar një letër Rusisë lidhur me kërkesat e sigurisë dhe ka argumentuar se Perëndimi është i përkushtuar që të ndjekë politikën e “dyerve të hapura” për shtetet që duan të anëtarësohen në NATO.
Rusia ka thënë se do ta analizojë përgjigjen e SHBA-së, që u dorëzua në koordinim me NATO-n.
Ndërkaq, përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e krizës vazhduan edhe në Paris, ku këshilltarët e liderëve të Rusisë, Ukrainës Francës dhe Gjermanisë u takuan. Përmes një deklarate më 27 janar, ata thanë se zotohen për respektimin e një marrëveshjeje armëpushimi të arritur më parë që ka për qëllim t’i japë fund konfliktit në lindje të Ukrainës.
Prej prillit të vitit 2014, në rajonet lindore të Ukrainës, forcat ukrainase luftojnë me separatistët e mbështetur nga Rusia.
Në takimin e këshilltarëve nuk u arrit asnjë rezultat konkret, por ata u pajtuan që të takohen pas dy jave në Berlin. Kuleba tha se kjo ishte një shenjë se Rusia do të qëndrojë në rrugën diplomatike të paktën për një periudhë të shkurtër kohore.
“Lajm i mirë që këshilltarët u pajtuan të takohen në Berlin pas dy javësh, që nënkupton se Rusia për dy javët e ardhshme me gjasë do të qëndrojë në kursin diplomatik”, tha Kuleba pas takimit me homologun e tij danez, Jeppe Kofod.
Rusia mohon se ka plane për ta pushtuar Ukrainën, por ka thënë se NATO-n e sheh si kërcënim dhe ka kërkuar që kjo aleancë të mos zgjerohet në lindje. NATO po ashtu i ka dërguar një përgjigje të shkruar për kërkesat ruse, duke paraqitur një sërë propozimesh për zgjidhje diplomatike të krizës dhe i ka bërë thirrje Moskës që të ulë tensionet.
(REL)