Ministri i Jashtëm turk në Tiranë: Të pastrohen “mbetjet e fundit të FETO-s në Shqipëri”

Tiranë, 29 janar 2024 – Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, i cili ndodhet në vizitë zyrtare në Shqipëri, është takuar me miniastrin për Punë të Jashtme dhe Evropë të Shqipërisë, Igli Hasani.

Pas takimit, në konferencën e përbashkët për media, Fidan ka thënë se me homologun e tij shqiptar, ndër të tjera, ka biseduar edhe për hapat që duhen ndjekur, siç është shprehur, për të pastruar ato që i ka cilësuar si “mbetje të fundit të FETO-s” në Shqipëri, organizatës së Fetullah Gulenit, të cilën Turqia e ka shpallur organizatë terroriste.

“Ne bëmë edhe diskutime për luftën kundër terrorizmit. Diskutuam për pastrimin e mbetjeve të fundit të FETO në Shqipëri, ndaj treguam ndjeshmërinë që ka Turqia ndaj kësaj çështjeje dhe mbi hapat që mund të hidhen konkretisht për këtë”, ka thënë Fidan, citon abcnews.

Ministri i Jashtëm turk i ka cilësuar të mira marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë, duke shtuar se bashkëpunimi ekonomik dher shkëmbimet tregtare duhet të ngriten në një nivel më të lartë.

Kryediplomati turk e ka vizituar tӕ dielën Xhaminë e Namazgjasë në Tiranë dhe është takuar me biznesmenë turq që zhvillojnë aktivitetet e tyre në Shqipëri.

(r.m.)