Prishtinë, 19 gusht 2023 – Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka dalë në mbrojtje ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe të tre të dyshuarve përr keqpërdorim të mallrave të rezervave shtetërore, të cilët u arrestuan të premten.
Murati, sikurse Kryeministri Albin Kurti, e ka cilësuar si “të kapur” sistemin e drejtësisë dhe e ka akuzuar se ky sistem “nuk e ka mision luftimin e krimit, por mbrojtjen e kastës së vjetër kriminale”.
Ai ka kujtuar se disa afera të mëdha të qeveritarëve të mëparshëm ndaj të cilëve nuk ishte ngritur asnjë aktakuzë, për çka ai e akuzon sistemin e drejtësisë.
“… luftimi i krimit e korrupsionit, me sa shihet, nuk është misioni i tyre, por mbrojtja e kastës së vjetër kriminale, me shpresën që një ditë ajo kastë do të kthehet. E, për ta bërë më të lehtë kthimin e kastës së vjetër, sistemi i kapur i drejtësisë po lufton me çdo mjet ministrat e Qeverisë Kurti, duke u munduar të bëjnë spektakle nga asgjëja”, ka theksuar ai në një status në Facebook.
Statusi i plotë i Muratit:
Në fund të vitit 2020, nja 10 ditë pasi Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur Qeverinë Hoti të paligjshme, Vesel Krasniqi duke u bazuar në një udhëzim administrativ poashtu të paligjshëm, kishte marrë vendim për caktimin e një operatori ekonomik “për shenjimin e naftës”.
Vendimi ishte marrë me 30 dhjetor, një natë para natës së Vitit të Ri.
Kujtojeni që edhe vendimi për shpronësimin e famshëm të rrugës Kijevë-Zahaq nga Qeveria Haradinaj ishte marrë me 31 dhjetor 2019, që poashtu ishte qeveri në ikje dhe e dorëhequr.
Megjithatë, shkojmë me 14 janar 2021, pra dy javë më vonë, Vesel Krasniqi nënshkruan kontratë 5-vjeçare me të njëjtën kompani, për t’i dhënë kompanisë monopol në shënjimin e naftës.
Pra e njëjta kastë politike që kishte krijuar monopolin e homologimit, po krijonte edhe një monopol tjetër në tregun e naftës, që do të ngarkonte qytetarët me barrë shtesë financiare, për çdo litër naftë që blejnë.
Kujtojeni se si po kjo kastë që krijonte monopole zhvatëse, kur ne e bëmë Ligjin për Çmimet Tavan për të bërë çmimin e bukës më të përballueshëm, e çuan ligjin në Gjykatë Kushtetuese.
Sidoqoftë, me të marrë mandatin Qeveria Kurti, me datë 3 maj 2021, Ministria që drejton Rozeta Hajdari kishte dorëzuar kallëzim penal për këtë rast në Prokurorinë Speciale.
A e dini se çka ka bërë Prokuroria Speciale që nga ajo ditë e deri më sot, për më shumë se dy vite?
Asgjë.
Me sa kuptova, i ngarkuar me këtë rast qenka prokurori Milot Krasniqi.
Pra përkundër faktit që kallëzimi penal përmbante të gjitha dëshmitë e nevojshme për të ngritur aktakuzë ndaj Vesel Krasniqit, Prokuroria Speciale nuk bëri asnjë hap deri më sot.
Sepse luftimi i krimit e korrupsionit me sa shihet nuk është misioni i tyre, por mbrojtja e kastës së vjetër kriminale, me shpresën që një ditë ajo kastë do të kthehet.
E, për ta bërë më të lehtë kthimin e kastës së vjetër, sistemi i kapur i drejtësisë po luftojnë me çdo mjet ministrat e Qeverisë Kurti, duke u munduar të bëjnë spektakle nga asgjëja.
Po të kishte prokurori e gjyqësor që njëmend ka mision luftimin e krimit, Vesel Krasniqi do duhej të jepte llogari për shkeljet që ka bërë.
Por ja që Veseli ftohet për intervistë, në media e jo në prokurori. Ndërsa prokuroria bën spektakël në vend se spektaklin t’ia lërë medias.
(r.m.)