Ministri Peci liron nga detyra këshilltarin Muzliukaj, menjëherë pas arrestimit të tij

Prishtinë, 14 korrik 2023 – Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, e ka liruar nga detyra këshilltarin e tij, Hysen Muzliukaj, menjëherë pas njoftimit për arrestimin e tij.

Lajmin e ka konfirmuar shefja e kabinetit të ministrit Peci, Flutura Mustafa Pllana.

“Derisa drejtësia ta thotë fjalën e fundit, Hysen Muzliukaj do të lirohet nga detyra”, ka thënë ajo.

Muzliukaj u arrestua të premten si i dyshuar për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, të kryer gjatë kohës që ishte drejtor i Drejtorisë së Gjeodezisë, Kadastrës dhe Pronës në komunën e Mitrovicës Jugore.

Edhe Faruk Mujka, kryeshef ekzekutiv i Bordit të Ndërmarrjes Hidro-ekonomike “Ibër-Lepenci”, u arrestua të premten si i dyshuar për të njëjtën vepër penale. Në kohën e kryerjes së veprës për të cilën dyshohet, Mujka ka qenë nënkryetar i komunës së Mitrovicës Jugore.

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit F.M dhe H.M, në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit”, njoftoi Prokuroria Speciale e Kosovës.

(r.m.)