Ministri Peleshi shpjegon përse Shqipëria kërkoi të pajiset me raketë anti-tank

Tiranë, 26 maj 2022 – Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, shpjegoi përsëri të enjten përse Shqipëria kërkoi të pajisen me raketë anti-tank.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Peleshi deklaroi se kërkesa për këtë raketë ishte bërë para se të niste agresioni rus në Ukrainë.

“Ka qenë e planifikuar më parë, para se të fillonte agresioni në Ukrainë. Pra, nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me agresionin. Por, natyrisht, agresioni na ka vënë para një fakti, që është shtimi i përpjekjeve dhe buxheteve për modernizimin e Forcave të Armatosura. Kështu që, në mos ky projekt, projekte të tjera, po, kanë lidhje me agresionin. Ne po shtojmë përpjekjet dhe buxhetin për Forcat tona të Armatosura”, tha Peleshi, pas mbledhjes së qeverisë.

Ai theksoi përsëri se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe nuk kërcënohet nga lufta.

“Për ta thënë edhe një here, me zë të lartë, Shqipëria është e sigurt, është aleate në NATO. Nuk kemi një kërcënim konkret, para të cilit duhet të përgjigjemi me mjetet tona të brendshme. Jemi në NATO që e mbron çdo centimetër. NATO reagon sa herë preket një pëllëmbë tokë. Pra, nuk bëhet fjalë për një rrezik. Nga ana tjetër, NATO ka forcuar dukshëm krahun e vet lindor, në kufi me Rusinë. Krahu lindor e tejkalon forcën e rivalëve”, tha ai.

Ministri Peleshi bëri të ditur se në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar një projekt-vendim lidhur me një marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, e cila lidhet me ndryshimin e skenës së sigurisë sot.

“Projekt-vendimi lidhur me një marrëveshje mes SHBA e Shqipërisë, që lidhet me ndryshimin e skenës së sigurisë sot, forcon dhe linjëzon qëndrimin tonë me politikën e SHBA-së, në raport me forcat e sigurisë të vendeve tjera që janë listuar nga SHBA si vende të papërshtatshme. Ne i bashkohemi SHBA-së për të mos pasur shkëmbim me këto forca”, theksoi ministri Peleshi, transmeton Balkanweb.

(r.m.)