Kiev, 2 shkurt 2023 – Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, tha se Rusia po përgatit një ofensivë të madhe dhe paralajmëroi se ajo mund të fillojë më 24 shkurt.
Ai tha se Moska kishte grumbulluar mijëra trupa dhe se mund të “provojë diçka” për të shënuar përvjetorin e pushtimit, që nisi në shkurt të vitit të kaluar.
Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania kanë bërë të ditur se do të dërgojnë tanket Abrams, respektivisht Leopard, në Ukrainë.
Ukraina ka thënë se këto tanke do t’i ndihmojnë që të përballet me ndonjë ofensivë potenciale të Rusisë në pranverë.
Zelensky ka thënë se shtetit të tij do t’i duhen të paktën 300 tanke Leopard për të mposhtur Rusinë.
Shumë shtete evropiane kanë tanke Leopard 2 në inventarët e tyre, dhe vendimi gjerman nënkupton se disa shtete mund të bëjnë dërgesa në Ukrainë.
Gjermania shpreson se rreth 90 tanke të tilla do të dërgohen në fushëbetejë.
Polonia dëshiron të eksportojë 14 tanke Leopard 2, ndërsa Norvegjia ende nuk e ka bërë të ditur numrin e saktë.
Mbretëria e Bashkuar ka qenë vendi i parë anëtar i NATO-s që është zotuar për dërgim të tankeve moderne në Ukrainë.
Kryeministri britanik, Rishi Sunak, ka thënë se do dërgojë në Ukrainë 14 tanke Challenger 2 – modelin më modern të tankeve në ushtrinë britanike.
Rusia – që ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022 – ka më shumë tanke sesa Ukraina, por modelet që Moska ka janë shumë inferiore krahasuar me tanket perëndimore.
(REL)