Nga Ruben Avxhiu
Krijimi i Ministrisë së Diasporës, që kryente një punë e cila mund të mbarohej fare mirë nga drejtori përkatëse në ministritë e Jashtme, të Arsimit e të Kulturës, mund të kritikohej si një fryrje e panevojshme e administratës shtetërore në Shqipëri.
Sigurisht ministria nëse bazohej mbi një vizion të përcaktuar mirë e një strategji të ndërtuar me largpamësi e sinqeritet, përtej përfitimeve e propagandës partiake, me shpirt mbarëkombëtar e ideale humaniste do të ishte diçka e mrekullueshme. Mirëpo, pakkush kishte iluzione në këtë drejtim.
Nga ana tjetër, mbyllja nuk është për t’u gëzuar. Ministria e Diasporës në Shqipëri shton listën e gjatë e projekteve të nisura me bujë e të lëna në mes të rrugës. Me investime që mund të ishin menduar e përdorur ndryshe.
Jo më kot bashkatdhetarët janë shpesh mosbesues, cinikë, e të painteresuar për nismat që vijnë nga atdheu. Zakonisht nuk shkojnë askund, rrëmbehen nga disa individë, krijojnë një zhurmë të përkohshme, disa rezultate të vogla, ngacmojnë inate e smira të reja e të vjetra në tregun e konkurrencës patriotike, e në fund shuhen sikur të mos kishin ekzistuar kurrë.
Tani jeta njerëzore kjo është. Provo e dështo deri sa të arrish diçka që funksionon për një kohë të gjatë. Ndoshta vjen një qeveri që nuk do të mendojë për ciklin zgjedhor të radhës apo për bujën e personale të momentit dhe do të hedhë një themel serioz për bashkëpunim me diasporën. Është mbase një shpresë e kotë, por shpresa është shpesh e vetmja gjë që na mbetet.
Në një plan praktik, të komunikosh dhe bashkëpunosh me diasporën është një mision i papërmbushshëm sepse diaspora është shumë e shpërndarë gjeografikisht, shumë e decentralizuar, dhe shumë e ndërlikuar. Asnjë qeveri apo parti politike nuk mund ta mbulojë me një batanije te vetme partiake, ideologjike, programore etj. As nuk do të ketë ndonjëherë një udhëheqës apo organizatë që mund të thuash kjo është dhe nuk ka tjetër që flet për diasporën. Kjo nuk është detyrimisht diçka e keqe. Përkundrazi, konkurrenca ka sjellë fryte të mëdha, sidmos në lobimin në Washington e nivele të tjera të politikës edhe biznesit. Sigurisht ka pasur është probleme dhe anë negative. Në këtë drejtim nuk kemi asnjë dallim nga të gjitha komunitetet e tjera etnike në SHBA.
Kjo larmishmëri është edhe mburoja më e mirë kundër çfarëdo manipulimi e përpjekje për kontroll nga politika në atdhe. Kjo sjell edhe dyshimin e politikës dhe ngurrimin për të na bërë pjesë të proceseve politike e zgjedhore aty. Me diasporën vjen një përmasë lirie që nëse ia hap derën vërtet i gjithë kombi shqiptar mund të përfitojë jashtëzakonisht. Nuk do të ndodhë me elitën e tanishme politike sidomos në Tiranë.
Ideale do të ishte që nga “rrënojat” e ish-ministrisë së Diasporës të nxirren mësime e të përdoret përvoja për projektet e ardhshme. Se si mund të bëhet nuk e di. Mbase në shpresë të reflektimit dhe komenteve të atyre që punuan me të duke nisur nga ish-ministri Pandeli Majko, nga ata që e krijuan dhe pastaj e shuan, me në krye kryeministrin Edi Rama, nga ata që përfituan deri diku në diasporë, mbase shkollat që morën abetare e ndonjë ndihmë materiale, ata që pritën diçka tjetër e mbetën të zhgënjyer nga nisma, ata që i ndenjën larg në parim etj.
Në një farë mënyrë të gjitha ministritë duhet të jenë të diasporës, sepse kontributi e komunikimi me diasporën është në të gjitha nivelet e jetës. Kryeministri i tanishëm e shumë prej zyrtarëve shqiptarë kanë jetuar vetë me vite jashtë vendit e mund të kishin përfunduar fare mirë emigrantë. Njerëz të afërt të familjeve të tyre janë emigrantë. Gati çdo familje shqiptare e ka dikë të afërt në emigrim. Ne jemi një komb me një këmbë brenda e një këmbë jashtë atdheut. Nuk është e lehtë ta strukturosh këtë marrëdhënie mes popullsisë së ikur dhe asaj të mbetur, por në një botë që bëhet gjithnjë e më e vogël, gjetja e një rruge është e pashmangshme.