Prishtinë, 7 janar 2022 – Ministria Drejtësisë e Kosovës shpjegoi se në Projektligjin për Themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili pritet të procedohet në Kuvendin e Kosovës, parashihet që konfiskimi i pasurisë të bëhet vetëm me vendim të gjykatës.
Shefi i Kabinetit të Ministres së Drejtësisë, Genc Nimoni, në një postimi në Facebook, ka shkruar se ky projektligj garanton respektim të të drejtave të palëve në procedurë.
“Për sqarimin e nevojshëm, konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të bëhet vetëm nga gjykata, ndërsa roli i Byrosë është verifikimi fillestar i saj. Gjykata garanton procedura profesionale dhe respektim të të drejtave të palëve në procedurë. Nuk ka prezumim të pafajësisë në çështje civile. Për juristët mbetet e qartë kjo dhe ky parim”, shkruan Nimoni.
Ai thekson se projektligji është shumë i qartë dhe nuk e cenon pavarësinë e pushteteve.
“Byroja si një agjenci shtetërore e themeluar me Ligj nga Kuvendi, është e pavarur në verifikimin e pasurisë së zyrtarëve publikë dhe të ekspozuarve politikë, me ç’rast në procedurë civile dërgon lëndët në gjykatë për t’i trajtuar gjykata. Pala të cilit i verifikohet pasuria në çdo kohë mund të argumentojë para gjykatës se pasurinë e ka fituar në mënyrë të ligjshme”, shkruan Nimoni.
Sipas tij, në hartimin e projektligjit, përveç ekspertëve dhe njohësve ndërkombëtarë të fushës, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, ekspertë të pavarur dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Në fund, Nimoni thekson se Ministria e Drejtësisë është e hapur për të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet profesionale.
Postimi i plotë i Nimonit:
Njëra ndër iniciativat me serioze dhe më profesionale të Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë është Projektligji për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Është punuar me kujdesin më të madh profesional dhe me përfshirjen e duhur të ekspertëve dhe përfaqësuesve institucionalë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Diskutimi i ngritur me të drejtë më herët mbi këtë nismë dhe i cili po vazhdon, është mirë të jetë profesional dhe t’i kontribuojë një nisme e procedure sa më profesionale dhe efikase.
Për sqarimin e nevojshëm, konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të bëhet vetëm nga gjykata, ndërsa roli i Byrosë është verifikimi fillestar i saj. Gjykata garanton procedura profesionale dhe respektim të të drejtave të palëve në procedurë.
Nuk ka prezumim të pafajësisë në çështje civile. Për juristët mbetet e qartë kjo dhe ky parim.
Projektligji është shumë i qartë dhe nuk cenon pavarësinë e pushteteve. Byroja si një agjenci shtetërore e themeluar me Ligj nga Kuvendi, është e pavarur në verifikimin e pasurisë së zyrtarëve publik dhe të ekspozuarve politikë, me c’rast në procedurë civile dërgon lëndët në gjykatë për t’i trajtuar gjykata. Pala të cilit i verifikohet pasuria në çdo kohë mund të argumentojë para gjykatës se pasurinë e ka fituar në mënyrë të ligjshme.
Tutje qëllimi i Projektligjit tregon pse po themelohet kjo Byro. Në lidhje me qëllimin e ligjit, Neni 6 tregon çfarë statusi juridik ka Byroja dhe se ky nen është ne përputhje të plotë me nenin 142 të Kushtetutës e të cilat duhen interpretuar në ndërlidhmëri më njëra tjetrën, për t’i ikur keqinterpretimit eventual.
Për të pasur mundësi zbatimin efikas të Projektligjit si dhe respektimin e të drejtave të njeriut, janë marrë parasysh afatet kohore të cilat lidhen drejtpërdrejt me rendin juridik, konsolidimin e Shtetit dhe kohën kur qarkullimi i aseteve me vlerë më të madhe është obligur të bëhet me transaksione bankare.
Përveç ekspertëve dhe njohësve ndërkombëtarë të fushës, në hartimin e Projektligjit kanë marrë pjesë përfaqësuesit e duhur institucional, ekspertët e pavarur dhe shoqëria civile, madje përfshirë gjykatës dhe prokurorë, të cilët drejtpërsëdrejti interpretojnë dhe zbatojnë ligjet në procedurat penale dhe civile. Ju mbetemi falënderues të gjithë kontribuesve.
Republika e Kosovës ka nevojë për një ligj të verifikimit e konfiskimit të pasurisë së pajustifikuar të punuar në përputhje me standardet kushtetuese dhe ato ndërkombëtare, i cili mundëson zhvillimin e kësaj procedure civile nga Byroja e më pas Gjykata dhe i cili ndër të tjera, parandalon dhe eviton keqpërdorimin e parasë publike.
Përndryshe Ministria e Drejtësisë, ka qenë dhe mbetet e hapur që t’i konsiderojë të gjitha komentet dhe sugjerimet profesionale, të cilat i kontribuojnë një ligji dhe procedure sa me profesionale dhe efikase.
(r.m.)