Ministria e Drejtësisë thotë se do t’i ulë tarifat e përmbaruesve privatë

Prishtinë, 2 nëntor 2021 – Ministria e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës ka vendosur t’i ulë tarifat e përmbaruesve privatë.

Kjo u bë e ditur në një komunikatë për media të grupit punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për tarifat e përmbaruesve private që nisi punën të martën.

Zëvendësministri Blerim Sallahu ka thënë se ky grup është themeluar me qëllim të ndryshim-plotësimit të udhëzimit administrativ, duke marrë parasysh “vështirësitë dhe mangësitë tashmë të identifikuara në praktikën e zbatimit të tarifave”.

Sipas Sallahut, udhëzimi administrative aktual lë hapësirë për interpretim të çështjes së gjenerimit të tarifave.

Ministria e Drejtësisë ka thënë se paraprakisht është bërë analizë e studimit të kostove të shërbimeve përmbarimore nga përmbaruesit privatë dhe një analizë krahasuese e shërbimeve të përmbaruesve të Kosovës me ato të përmbaruesve në vendet e rajonit.

Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se tashmë është finalizuar edhe projek-ligji për ndryshimë e plotësime të Ligjit për Procedurën Përmbarimore, i cili, siç thuhet nënjoftim “adreson çështjen e ndarjes së barabartë të lëndëve të pranuara nga institucionet publike me qëllim të garantimit të funksionimit të zyrave përmbarimore, si dhe eliminimin e krijimit të monopoleve”.

Grupi punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për tarifat e përmbaruesve private udhëhiqet nga Ministria e Drejtësisë. Në të marrin pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, përfaqësuesi i përmbaruesve privatë, si edhe përfaqësuesi e Odës së Avokateve të Kosovës, Shoqatës së Bankave të Kosovës, Odës Ekonomike të Kosovës dhe të Projektit CILC që e mbështet përmbarimin.

Procesi i hartimit të udhëzimit të ri administrative për përmbaruesit privatë mbështetet nga Programin për Drejtësi Komerciale i USAID-it.

(r.m.)