Tiranë, 14 tetor 2022 – Ministria e Financave vazhdon të mbajë të fshehtë raportin e performancës së koncesioneve për vitin 2021 – një detyrim ligjor ky i papërmbushur edhe dy muaj pas dorëzimit të buxhetit faktik në Kuvend.
Në fund të shtatorit, një zëdhënëse e ministrisë i tha BIRN se po raporti po përgatitej dhe do të bëhej publik ‘shumë shpejt’. Por dy javë më pas, Ministria e Financave dhe ministrja Delina Ibrahimaj nuk iu përgjigjen pyetjes se kur do të publikohet raporti dhe pse është shkelur detyrimi ligjor.
Mungesën e transparencës për kontratat koncensionare, kryeministri Edi Rama e cilësoi “një problem teknik” të ministrisë, i pyetur nga BIRN gjatë një konferencë shtypi javën që shkoi. Por sipas opozitës, kjo përbën një tentativë për të fshehur problematikat që kanë disa nga kontratat koncensionare, ndërkohë që qeveria vijon t’i paguajë ato rregullisht pavarësisht vonesave në punime.
“Ky raport mungon nga pikëpamja e raportimit,” tha deputetja demokrate, Jorida Tabaku për BIRN. “Gjykimi im është se raporti i fundit i performancës ka shkaktuar shumë zhurmë dhe qeveria po tregohet e kujdesshme, sepse pagesat nga buxheti i shtetit vazhdojnë edhe pse disa kontrata kanë probleme, si për shembull kanë gjoba që nuk janë zbatuar,” shtoi Tabaku.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi në vitin 2019 ndryshime në ligjin për koncesionet, duke i ngarkuar Ministrisë së Financave detyrimin e hartimit dhe publikimit të një raporti të detajuar mbi ecurinë e koncesioneve kryesore. Një raport i tillë u publikua në vitin 2020 për ecurinë e koncesioneve deri në vitin 2019 dhe në vitin 2021 për ecurinë deri në vitin 2020.
Raportet e viteve të kaluara kanë vënë në dukje faturat e paguara nga buxheti i shtetit për këto kontrata si dhe, në raste të rralla, të dhënat mbi ecurinë e investimeve sipas kontratës, të kryera nga partnerët privatë të qeverisë.
Qeveria shqiptare po zbaton një dyzinë kontratash koncesionare kontroverse, të cilat i janë dhënë kryesisht kompanive vendëse me procedura me shkallë shumë të ulët konkurrence. Gjatë vitit të kaluar, këto kontrata përfituan sëbashku 11.5 miliardë lekë nga buxheti i shtetit si dhe një sasi jo të njohur të ardhurash të paguara nga shqiptarët përmes tarifave të shërbimeve, të cilat ofrohen në kushtet e monopolit faktik.
Disa nga këto kontrata koncesionesh duket se kanë ngecur. Afati i dorëzimit të kontratës për ndërtimin e Rrugës së Arbrit u shty me 17 muaj, ndërsa ecuria e koncesionit të inceneratorit të Tiranës është gjithashtu e panjohur. Ministria nuk ka bërë të ditur nëse deklaratat e kompanisë koncesionare në raportin e vitit 2020 se incineratori po pret 30 milionë euro pajisje, është materializuar apo jo.
(Reporter.al)