Ministria e Shëndetësisë e Kosovës shpjegon masat e reja kundër pandemisë

Prishtinë, 24 janar 2022 – Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka thënë të hënën, 24 janar, se masat e reja për luftim të pandemisë së koronavirusit janë marrë pas analizimit të situatës epidemiologjike dhe konsultimeve me profesionistë shëndetësorë.

Masat e reja janë miratuar nga Qeveria e Kosovës më 21 janar dhe kanë nisur të zbatohen një ditë më vonë.

Në njoftimin e Ministrisë është thënë se vendimi nuk u kërkon me domosdo qytetarëve dozën e tretë të vaksinës për të hyrë në Kosovë, pasi të vaksinuarve plotësisht u mjafton edhe një test negativ PCR, jo më i vjetër se 48 orë.

Sipas njoftimit, shtetasit e Kosovës mund të hyjnë në Kosovë duke qenë të vaksinuar vetëm me dy doza, pa pasur nevojë të testit negativ PCR.

Nëse nuk i kanë dy doza, ata duhet t’i nënshtrohen karantinës për shtatë ditë, është thënë mes tjerash në njoftim.

Maqedonia e Veriut ka qenë një prej vendeve të para që u ka kërkuar autoriteteve të Kosovës të krijojnë lehtësira për hyrje në këtë shtet.

Sipas masave t reja, kufizimi i qarkullimit do të aplikohet nga ora 22:00 deri në orën 05:00.

Bizneset e gastronomisë mund të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri më 21:00.

(REL)