Prishtinë, 16 dhjetor 2021 – Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se sot (e enjte, 16 dhjetor) do të vizitojë Luginën e Preshevës.
Në një postim në Facebook, ajo ka njoftuar se do të takojë përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe të subjekteve politike. Gjatë kësaj vizite ajo do të shoqërohet nga këshilltari i saj politik, Rexhep Gjergji.
Vizita e ministres Gërvalla në Luginë të Preshevës realizohet me njëditë vonesë. Ajo e kishte planifikuar këtë vizitë për të mërkurën, por kërkesa e saj ishte refuzuar nga autoritetet në Beograd.
Postimi i ministres Gërvalla:
Me një ditë vonesë, pas pak do të filloj vizitën time të parë në Luginën e Preshevës.
Ndihem shumë e privilegjuar që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të vizitoj përfaqësuesit institucional dhe qytetarët e komunave në Luginë dhe të flas e të shoh nga afër se si mund të thellojmë bashkëpunimin tonë.
Së bashku me prof. Rexhep Gjergjin jemi nisur drejt Bujanocit, ku do të takohemi fillimisht me kryetarin e kësaj komune, z. Nagip Arifi. Takime do të zhvillojmë edhe me përfaqësues të tjerë institucional në këtë komunë.
Gjatë ditës do të qëndrojmë edhe në Preshevë, ku do të takohemi edhe me kryetaren e komunës, znj. Ardita Sinani. Do të zhvillojmë takime me deputetë, përfaqësues të partive politike shqiptare dhe studentë.
(r.m.)