Ministrja gjermane përgëzon ministren Gjonaj për rezultatet e reformës në Drejtësi
Ministrja Lambrecht shprehu angazhimin e Gjermanisë për të vijuar dhe forcuar bashkëpunimin me Gjonajn për reformën në Drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit
Në Nju Jork, në Kombet e Bashkuara, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj zhvilloi një takim të gjatë dhe me tematikë të gjerë me homologen e saj, Ministren e Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Republikës Federale të Gjermanisë, znj. Christine Lambrecht.
Në hyrje të takimit, homologet diskutuan mbi rëndësinë e Sesionit të Posaçëm të Asamblesë së Përgjithshme për Antikorrupsionin duke theksuar se impenjimi politik i treguar në luftën kundër korrupsionit duhet të vijojë me veprime dhe masa respektive.
Ministrja Gjonaj theksoi se, si Kordinator Kombëtar kundër Korrupsionit, bashkëpunimi i frytshëm mes vendeve të zgjerohet edhe në këtë fushë.
Si edhe reforma në Drejtësi, lufta kundër korrupsionit është gjithashtu një nga përparësitë e mëdha të qeverisë shqiptare.
Në qendër të këtij takimi ishin po ashtu rezultatet e arritura të reformës në Drejtësi në Shqipëri.
Ministrja Lambrecht përgëzoi ecurinë e kësaj reforme unike si dhe rezultatet e vettingut duke garantuar se Gjermania do të vijojë të qëndrojë krah Shqipërisë në këtë proces të rëndësishëm.
Ministrja Federale Gjermane përkrahu dhe inkurajoi më tej punën e Ministres Gjonaj, si dhe theksoi vijueshmërinë dhe rritjen gjithashtu të mbështetjes së Gjermanisë dhe asistencës teknike në lidhje me reformën në Drejtësi.
Në takim u dakordësua për të intensifikuar komunikimin midis stafeve teknikë për të përforcuar bashkëpunimin e mëtejshëm.
Ministrja Gjonaj falenderoi për mbështetjen e vyer të Gjermanisë jo vetëm për reformën në Drejtësi, por edhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin, pasi Gjermania padyshim ka qenë një partner kyç.
Zonja Gjonaj në Nju Jork mbajti fjalën në Sesionin e Posaçëm të Asamblesë së Përgjithshme mbi “Sfidat dhe Masat për Parandalimin dhe Luftimin e Korrupsionit”.
Ministrja Gjonaj në ditën e dytë të vizitës do të zhvillojë takime të tjera me zyrtarë të lartë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.