MINT ua shfuqizon certifikatat edhe pesë bizneseve të tjera

Prishtinë, 31 korrik 2023 – Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka njoftuar të hënën se edhe pesë bizneseve të tjera u janë shfuqizuar certifikatat e biznesit,për shkak se ato kanë emërtime kundërkushtetuese.

Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) më 6 korrik ka formuar një komision të veçantë që ka nisur shqyrtimin dhe verifikimin e dosjeve të bizneseve të regjistruara.

Mimnistrja Hajdari njoftoi se mes 660 dosjeve të shqyrtuara, komisioni i ka gjetur 48 sosh me emërtime kundërkushtetuese, në të cilat Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë.

“Menjëherë pas pranimit të raportit të Komisionit, ARBK-ja ka filluar sot hapat administrativ të parashikuar me ligj, duke nxjerrë vendime për shfuqizimin e certifikatave të 5 bizneseve, në mes të 48 prej tyre me emërtime antikushtetuese”, thuhet në njoftim.

“Këto 5 biznese, në dokumentacionin e pronarëve apo përfaqësuesve të autorizuar, kanë përmbajtje antikushtetuese si në vijim: “Gnjilane – Serbi”; “Pristina – Serbi”; “Djakovica – Serbi”; “Kosovska Mitrovica – Serbi”. Bizneset në fjalë kanë veprimtari përkatësisht në blerje dhe shitje të patundshmërisë personale, tregti me pakicë me porosi, ndërtim të objekteve banesore e jobanesore dhe telekomunikim kabllor”, thuhet në njoftim.

Ministrja Hajdari ka paralajmëruar se, gjatë dtëve në vijim, ARBK-ja do të marrë vendime edhe ndaj bizneseve të tjera që kanë kryer shkelje ligjore.

“E falënderoj Komisionin për riverifikim për punën e shpejtë dhe profesionale në shqyrtimin e qindra dosjeve gjatë javëve të fundit, si dhe ARBK për marrjen e menjëhershme të masave për zbatimin e ligjit. Edhe një herë, MINT mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit dhe respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Hajdari.

Për të njëjtën arsye, javën e kaluar, MINT-i ia pezulloi veprimtarinë televizionit “KlanKosova”, gjë që shkaktoi reagime të forta të medieve e gazetarëve, të shoqërisë civile dhe të partive opozitare. Në reagimet e tyre vlerësohet se ky vendim përbën sulm ndaj medies dhe  lirisë së  shtypit.

Ndaj këtij vendimi kanë reaguar edhe disa organizata ndërkombëtare dhe ambasadat e vendeve të QUINT-it.

Kryeministri Albin Kurti i ka hedhur poshtë akuzat se qeveria e tij po përpiqet të vë nënkontrollin e saj mediet e lira e të pavarura.

“Liritë e medias janë jetike: sulmi ndaj tyre është sulm ndaj demokracisë. Por, demokracia gjithashtu sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare. Dhe zbatimi i ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të tillë – në asnjë mënyrë – nuk përbën sulm ndaj lirisë së medias”, shkruan kryeministri Albin Kurti.

 (r.m.)