MIQËSIA E VËRTETË DHE E PËRHERSHME ME AMERIKËN

Çështja jonë e drejtë, interesat e përbashkëta strategjike dhe lobimi në Washington e bëjnë të mundur mbështetjen amerikane.

Nga MSc. Agim Aliçkaj

         Amerika është vendi i drejtësisë dhe demokracisë, ruajtëse dhe garantuese e paqes botërore. E krijuar nga kombet e të gjithë botës, edhe pse joperfekte, ndien përgjegjësi, synon dhe punon me përkushtim në ruajtjen e rendit botëror.

         Nuk ka dyshim se Amerika është shpëtimtarja e Kosovës, drita dhe shpresa e mbarë kombit shqiptar. Interesat tona strategjike në masë të madhe përputhen me ato amerikane. Roli, fuqia dhe rëndësia e Amerikës janë të qarta. Por, si vend i të gjithëve, këtu mund të depërtojnë edhe armiqët tanë. Për t’i bllokuar ata, me Amerikën duhet punuar në mënyrë të përhershme.

         Ata që e njohin sistemin amerikan e dinë fare mirë se Amerika në plan të parë i ka interesat e veta nacionale. Politikanët i japin përgjegjësi vetëm votuesve të vet dhe popullit amerikan. Demokracia amerikane funksionon në mënyrë impresive me dy parti kryesore dhe tre degë të qeverisjes, ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore. Secila degë i ka detyrat e veta, bashkëpunojnë me njëra tjetrën por edhe e kontrollojnë njëra tjetrën.

          Për afër katër dekada të bashkëpunimit intensiv me Amerikën, Kosova ka patur përkrahje të jashtëzakonshme, por edhe probleme, sidomos me degën ekzekutive, me disa zyrtarë të administratave të ndryshme. Disa të influencuar nga Serbia, tjerët për interesa taktike të ruajtjes së qetësisë relative në Ballkan ose të lënies së përgjegjësisë në kompetenca të Evropës.         

         Është interesant se shumë ambasadorë amerikan që kanë shërbyer në Beograd e kanë mbajtë anën e Serbisë, si Zimmerman, Eagleburger, Montgomery etj. Shihet se edhe ambasadori Hill ka filluar të ketë mirëkuptim për veprimet destruktive të Beogradit, jashtë sjelljeve normale diplomatike. Serbia gjithmonë e ka gjetë mënyrën t’i përvehtësojë diplomatët e huaj në mënyra të ndryshme.

         Rast i veçantë ishte ambasadori Grenell i cili pas përpjekjeve të dështuara për ndarjen e Kosovës dhe rrënimin e demokracisë, u shëndrrua në një pro-serb të dalldisur. Marrëveshja e tij, nënshkruar në Washington, e ndryshuar nga ajo politike në atë për kinse “normalizim të marëdhënjeve ekonomike,” ishte sa e çuditshme e utopike, aq edhe anti-shqiptare. Populli amerikan e shpëtoi Kosovën nga Z. Grenell.

         Kosova prapë doli me fat sepse u njoh nga Izraeli gjë që ishte në interes të kampanjës Trump dhe Izraelit për vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Për këtë u zotua edhe Serbia por nuk e realizoi kurrë dhe askush nuk e përmendë më, madje as vet Grenelli. Serbia i thyen marrëveshjet ndërkombëtare sipas qejfit dhe perëndimoret nuk brengosen fare.

         Përuljen pa kushte ndaj diplomatëve amerikanë dhe evropianë e proklamojnë dembelat, qyqanat, naivët, mashtruesit, karrieristët e sëmurë për pushtet dhe tradhëtarët. Sipas tyre, Amerika “i di dhe i kontrollon të gjitha punët tona, na mbronë dhe na i rregullon të gjitha”. Na i mbjellë edhe specat në kopsht, ne veç duhet t’i pjekim e t’i hajmë, edhe nëse janë të idhëta. Kjo për ta është “miqësia e përhershme me Amerikën”!

         Nuk e kanë të qartë se Amerika, nuk i do qyqanat, kriminelët dhe politikanët e korruptuar. I përdorë për t’i arritur qëllimet e veta taktike dhe i hedhë sipas nevojës. I kupton dhe respekton, në afat të gjatë, ata liderë që e mbrojnë lirinë, demokracinë dhe interesat e veta të drejta kombëtare dhe shtetërore, që kanë plan të qartë dhe strategji të veprimit, si dhe punojnë me zell për t’i arritur. Kritikat dhe mospajtimet janë gjë normale, zakonisht të përkohshme dhe të ndryshueshme varësisht nga situata.

         Disa deklarata të fundit të emisarit amerikan Gabriel Escobar ishin të paqarta dhe kundërthënëse. Kërkesa e tij për asociacion i cili nuk e cënon Kushtetutën dhe nuk e dëmton funksionalitetin e shtetit të Kosovës ishte në rregull, por ndryshoi brenda disa ditësh. Gazetarët e pavarur shqiptar, do të duhej ta pyesin ate dhe ambasadorin Hovenier për arsyen e këtij ndryshimi dhe se a është i informuar për këtë Presidenti Biden.

        Edhe budallai më i madh e kupton se kërkesa për krijim të Asociacionit të pastër etnik me kompetenca ekzekutive nuk ka të bëj asgjë me të drejtat e njeriut të minoritetit serb, pasiqë ata kanë të drejta më shumë se çdo minoritet tjetër në botë, por është kundër Kosovës, me qëllim të shkatërrimit të shtetit të Kosovës. Është edhe kundër vlerave të proklamuara multietnike evropiane dhe amerikane.         

         Deklarata e ambasadorit amerikan në Beograd Christopher Hill se “i vjen keq që është bombarduar Serbia” është e pamatur dhe jodiplomatike. E rehabiliton shtetin serb dhe e ndihmon për të vazhduar me veprime kriminale. Kjo është edhe kundër interesave kombëtare amerikane. Imitimi i ish ambasadorit Grenell nuk i shkon për shtati një diplomati të emëruar nga presidenti Biden.                 

          Ai e di shumë mirë se vendimi për bombardimin e Serbisë gjenocidale është marrë në mënyrë demokratike me miratimin e Kongresit Amerikan. Për më tepër, ai dhe të gjithë ata që përpiqen të përdorin fuqinë e Amerikës për të ndërmarrë veprime të pajustifikuara dhe për të mbështetur kauzat e gabuara, duhet të kuptojnë se kjo ka kufij. Amerika ka forcë për të mposhtur shtetet kriminale, fashiste si Serbia dhe Rusia, por jo për të nënshtruar popujt që luftojnë për liri, drejtësi dhe demokraci.        

         Mbështetja e popullit amerikan është thelbësore për vendimet me interes jetik të SHBA-së. Zoti Hill, diplomatët dhe zyrtarët amerikanë duhet t’i arësyetojnë veprimet e tyre përpara Kongresit Amerikan. Një shembull i ballafaqimit me zyrtarë të tillë është puna e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane në Washington, e udhëhequr nga legjendat e lobimit Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi. Kjo punë e madhe është e dokumentuar mirë dhe mund të mësohet përmes faqes së internetit “aacl.com”.     

          Përfundimisht, me Amerikën nuk ka nevojë për përulje qorre pa kushte. Duhet konsultim, bashkëpunim dhe bashkëveprim i përhershëm. Qëndrimet e kundërta duhet të argumentohen me fakte. Mospajtimet duhet të shprehen me respekt, pa frikë, dhe në takime të mbyllura. Çështja jonë e drejtë, interesat strategjike të përbashkëta dhe veprimtaria në Washington e mundësojnë përkrahjen e përhershme amerikane.

Kjo është miqësia e vërtetë me Amerikën. Kjo është rruga e vetme e shpëtimit dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës.

         Evropa është e komplikuar. E përbërë nga shtete me interesa të ndryshme, me kombe dhe besime fetare të ndryshme, e ngulfatur me probleme të shumta, me padrejtësi të theksuara dhe paragjykime ndaj kombit shqiptar. Po të mos ishte Amerika, rusishtja do të ishte gjuhë zyrtare në Evropë.

         Përkedheljae vazhdueshme e Serbisë, tolerimi i kërcenimeve me luftë, përkrahja e hapur e veprimeve vandaliste, kriminale dhe terroriste, si dhe presioni nga Evropa mbi Kosovën për ta akomoduar Serbinë, të cilave ju bashkangjitën me deklarata të paqarta kontradiktore edhe disa diplomatë amerikanë, janë të padrejta dhe po bëhen të neveritshme.

         Përpjektet e dëshpruese të Evropës për ta tërhjekë Serbinë nga Rusia në kurriz të Kosovës janë të kota. Nuk do të ndodhë edhe nëse ja japin, jo Kosovën, por edhe gjysmën e Evropës.

         Serbia është shtet kriminal, fashist, racist, shovinist dhe hegjemonist, njësoj si  Rusia, e kontrolluar plotësisht nga Rusia. E sëmuar nga urrejtja për shqiptarët dhe kombet tjera përrreth. Fati i Kosovës, Ballkanit dhe mbarë Evropës është se Serbia nuk kufizohet me Rusinë. E rrethuar nga shtetet e NATO-s nuk ka kaqik për të shkaktuar ndonjë luftë tjetër frontale dhe okupuese.                     

         Barrikadat janë mjet për të ushtruar presion mbi Kosovën. Ato janë edhe dështim i KFOR-it për kryerjen e detyrës së ruajtjes të rendit dhe qetësisë në Ballkan. Pretendimet serbe dhe evropiane se janë mjete të protestave paqësore, janë qesharake.      

        Shqyrtimi i vonuar i kërkesës serbe për kthimin e forcave të tyre terroriste në Kosovë dhe hezitimi për refuzimin e saj nga KFOR-i, është gjithashtu një formë presioni ndaj Kosovës. Ata duhet të kuptojnë se çdo ushtar apo polic serb në territorin e Kosovës, me ose pa lejen e KFOR-it, do të konsiderohet armik dhe do të luftohet me të gjitha mjetet e mundshme.

         Lejimi i kthimit të kriminelëve serbë në vendin e krimit është i papranueshëm. Do të ringjallë komandantin Adem Jashari dhe do të ngrejë në këmbë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e cila ende ekziston në mendjet dhe zemrat e çdo shqiptari.       

         Republika e Kosovës e udhëhequr nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu dhe Kryeministri Albin Kurti, në përballje me Serbinë fashiste, po mbron lirinë dhe të drejtën e saj për të ekzistuar, si dhe vlerat demokratike perëndimore. Të gjitha vendimet dhe veprimet e deritashme ishin të matura dhe të drejta. Më të mirat të mundshme në ballafaqim me dreqin. Kishte lëshime taktike por jo strategjike, të cilat mund të cënojnë fuksionimin e shtetit. Kjo duhet vazhduar me forcë dhe vendosmëri.

         Njohja e pavarësisë së Kosovës është e pamundur derisa të krijohet presioni real ndaj Serbisë. Dialogu i udhëhequr nga evropianët është një dështim, i padrejtë dhe i mbrapshtë, i projektuar vetëm për të akomoduar Serbinë. Kosova nuk ka zgjidhje tjetër veçse të marrë pjesë në të, por nuk duhet të presë ndonjë rezultat të mirë dhe nuk duhet të nënshkruajë asnjë marrëveshje finale që nuk përfshinë njohjen reciproke. Pikë.        

         Ata që trumbetojnë se Serbisë duhet t’i jepet diçka për të arritur një marrëveshje përfundimtare dhe se veriu “është edhe ashtu i humbur”, janë torollakët dhe halldupët më të mëdhenj të shekullit XXI. Kjo nuk është mënyra për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë hegjemoniste. Pas çdo marrëveshjeje të arritur me kompromis dhe lëshime, do të ketë kërkesa të reja deri në shkatërrimin e plotë të Kosovës. Veriu nuk do të humbasë kurrë për sa kohë që ushtria serbe nuk lejohet të shkelë atje.       

         Serbisë duhet ndalur turri dhe t’i thyhen dhëmbët që të mos kafshojë më. Nuk ka rrugë tjetër. Vetëm fuqizimi i policisë, njësive speciale dhe ushtrisë së Kosovës do t’i ndalë veprimet e saj agresive. Forcat e NATO-s e parandalojnë luftën frontale, por vetë Kosova duhet të merret me strukturat ilegale, terroriste serbe në veri. Ato duhet të neutralizohen gradualisht përpara se të jenë në gjendje të kryejnë sërish akte kriminale. Është më e lehtë të mos lejosh barrikada sesa t’i heqësh ato me dhunë. Mbështetja e fondit të sigurisë është me rëndësi jetike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

         Krahas sigurisë dhe mbrojtjes ushtarake, duhet luftuar korrupsioni, ndërtimi i ekonomisë dhe shërbimeve sociale, demokracia dhe funksionimi i shtetit, bojkotimi i produkteve serbe, reciprociteti i të drejtave, kthimi i familjeve shqiptare në veri, ndëshkimi i kriminelëve serbë, kthimi i të zhdukurve me dhunë, dëmshpërblimet e luftës, luftimi i propagandës mashtruese serbe, infiltrimi i diasporës në institucionet perëndimore, shtimi i përpjekjeve lobuese në Amerikë dhe gjetkë, luftimi i ekstremizmave fetarë, reduktimi i imigrimit të të rinjve, rritja e lindjeve dhe forcimi i familjeve.

         Është koha e fundit që opozita e Kosovës t’i korrigjojë gabimet e së kaluarës dhe të rreshtohet me pozitën në përballje me Serbinë. Vetëm në këtë mënyrë ata mund të fitojnë mbështetjen e popullit, përndryshe do të përshëndeten me pushtetin për dekadat e ardhshme. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe Mediat dhe politikanët e të gjitha Trojeve Shqiptare. Është momenti i fundit që kryeministri shqiptar, z. Edi Rama t’ua kthejë shpinën kriminelëve Vuçiç dhe Putin dhe t’i bashkohet përpjekjeve të kombit të tij dhe botës demokratike për një të ardhme më të mirë dhe të sigurt.

         Bashkëpunimi me armikun e vetëshpallur e të dëshmuar të popullit shqiptar, Serbinë hegjemoniste, në çfarëdo forme dhe mënyre, është tradhti kombëtare.

         Me strategji kombëtare dhe përpjekje të përbashkëta të të gjithë shqiptarëve të mirë dhe patriotë fitorja përfundimtare ndaj Serbisë fashiste është e sigurt.