Tiranë, 17 janar 2022 – Kuvendi zgjodhi sot deputetin e Partisë Demokratike të opozitës, Agron Gjekmarkaj, në postin e nënkryetarit të institucionit më të lartë ligjvënës.
Zoti Gjekmarkaj mori një shumicë votash nga opozita, që e propozoi, dhe nga socialistët e shumicës, pas ftesës së hapur që bëri pro emrit të tij sekretari i përgjithshëm dhe kryetari i grupit të tyre, Taulant Balla.
Zëvendëskryetari i mëparshëm opozitar i Kuvendit, Enkelejd Alibeaj, mbajti po sot fjalën e parë si kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, në hapje të sesionit të ri plenar, duke zëvendësuar kolegun e tij Alfred Rushaj.
Zoti Alibeaj tha se “opozita dhe qytetarët janë përballë një regjimi, që abuzon me pushtetin e vjedhur, duke nisur nga zgjedhjet dhe deri tek fondet publike”.
Ai theksoi se komisioni hetimor për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit dhe ai për inceneratorët do të vazhdojnë me këmbëngulje nga puna, megjithë pengesat që po nxjerrin socialistët, duke fshehur dokumentet.
Ndryshimet në përfaqësimin parlamentar u kërkuan po sot nga Partia Demokratike edhe në disa komisione, që i përkasin opozitës, duke larguar deputetët e rreshtuar përkrah ish kryeministrit Sali Berisha në përpjekjet për rithemelim të partisë.
Partia Demokratike njoftoi Kuvendin mbi vendimet e forumeve të saj për përjashtimin nga grupi i saj parlamentar e deputetëve Albana Vokshi, Flamur Noka, Edmond Spaho dhe Luan Baçi.
Deputetja Grida Duma u propozua kryetare e komisionit për punën, shëndetësinë dhe çështjet sociale, duke zëvendësuar deputeten Albana Vokshi. Deputetja Flutura Açka u propozua kryetare e komisionit për edukimin dhe mjetet e informimit publik, duke zëvendësuar deputeten Agron Gjekmarkaj. Deputetja Dhurata Çupi u propozua zëvendëskryetare e komisionit për çështjet ligjore, administratën publike dhe të drejtat e njeriut, duke zëvendësuar deputetin Oerd Bylykbashi.
Disa nga deputetët opozitarë kundërshtuan procedurat parlamentare pas njoftimit të kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, mbi përjashtimet.
Deputeti Edmond Spaho deklaroi se ai nuk mund të përjashtohej nga grupi parlamentar i opozitës për shkak të kontributeve shumvjeçare në Partinë Demokratike si dhe prej mungesës së procedurave të qarta për këtë veprim.
Deputeti Flamur Noka protestoi ndaj kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, që “zgjodhi të bëhej zëdhënëse” e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për një dokument që mban datën e sotme, ndërkohë që ka marrë një tjetër dokument mbi ndryshimet e mëdha në këtë parti nga grupi rithemelues i saj, i cili ka zhvilluar një kuvend partiak dhe një referendum, duke shkarkuar drejtuesit aktualë të partisë.
Deputeti Oerd Bylykbashi theksoi se “regullorja e Kuvendit nuk parashikon përjashtime të deputetëve nga grupet parlamentare me forcë”, se “ata janë të lirë në ushtrimin e detyrës së tyre, dhe mund të lëvizin nga grupet me vullnetin e tyre dhe jo me detyrim”, dhe se “janë deputetët që ngrejnë grupet parlamentare dhe jo partitë e tyre”.
Por kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh se Kuvendi ka tashmë një praktikë shumëvjeçare, kur partitë dhe grupet thjesht njoftojnë largimet apo vetëlargimet e deputetëve.
Ai ftoi drejtuesen e seancës të hidhte në votim emrin e deputetit Agron Gjekmarkaj për të zënë postin e zëvendëskryetarit të Kuvendit, hap që u krye shpejt.
Zoti Balla vërejti se as në rregullore dhe as në traditën e Kuvendit nuk njihej si status “pezullimi i deputetit” dhe kërkoi nga opozita që të sqarohej kjo çështje.
Prej disa muajsh Partia Demokratike e opozitës është përfshirë nga debate të ndezura, të cilat kulmuan me protestën e dhunshme të 8 janarit të përkrahësve të ish kryeministrit Sali Berisha, kundër kryetarit të saj, Lulzim Basha.
Zoti Berisha dhe familja e tij u shpall non grata nga SHBA për korrupsion dhe cënim të demokracisë.
Partia Demokratike vendosi në Kuvendin e fundit të mos pranojë në funksionet e saj drejtuese asnjë person të shpallur non grata nga SHBA, duke përjashtuar zotin Berisha nga të gjithë detyrat partiake.
Nga ana tjetër, përkrahësit e zotit Berisha zhvilluan një kuvend dhe një referendum partiak, që shkarkoi zotin Basha nga detyra dhe ngritën një komision të përkohshëm për rithemelimin e partisë.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)