Prishtinë, 27 korrik 2023 – Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të parë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti më 27 korrik.
Me këtë projektligj, është krijuar edhe një skemë e re e quajtur “skema e pensionit parcial kontribut-pagues të moshës.”
Në këtë skemë janë futur të gjithë qytetarët të cilët janë larguar nga puna në vitet e ’90, e të cilëve nuk u është njohur kontributi, dhe për rrjedhojë, nuk e kanë plotësuar kriterin prej 15 vjetësh stazh, për të përfituar nga pensioni kontribut-pagues.
Miratimi i këtij projektligji është bërë me procedurë të përshpejtuar përmes kërkesës për seancë të jashtëzakonshme, të thirrur nga 41 deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Menjëherë pas miratimit në lexim të parë të këtij projektligji, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, e ka paraqitur një mocion procedural për shmangie nga afatet e përcaktuara në rregulloren e Kuvendit për shqyrtimin e projektligjit.
Mocioni është votuar dhe leximi i dytë i këtij projektligji pritet të bëhet në një seancë të re plenare sot në orën 19:00.
Për miratimin e këtij projektligji janë shmangur të gjitha afatet procedurale të rregullores së Kuvendit.
Krijimi i një skeme të re pensionale përmes ndryshimeve në ligjin aktual për pensione, u bë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2022 shfuqizoi paragrafin 2 të nenit 8 të ligjit për skemat pensionale, pasi konstatoi se ky nen pa të drejtë iu mohoi mijëra qytetarëve të drejtën e pensionit kontribut-pagues.
Ligji aktual për skemat pensionale parasheh të drejtën e përfitimit nga pensioni kontribut-pagues vetëm për ata persona që dëshmojnë se kanë kontribuar për 15 vjet në ish-Fondin Pensional.
Për personat që u larguan dhunshëm nga puna nga regjimi i atëhershëm serb, nuk u mundësua që të gëzonin pensionin kontribut-pagues, për shkak se nuk përmbushnin kriterin prej 15 vjetësh përvojë pune.
Sipas vlerësimeve të Qeverisë së Kosovës, aktualisht, në skemën e pensionit bazik duhet të jenë rreth 70.000 persona që realisht do të duhej të kualifikoheshin për pensionin parcial kontributpagues të moshës.
Kjo skemë e re pensionale për personat që u larguan nga puna në vitet ’90, llogaritet se do t’i kushtojë shtetit rreth 60 milionë euro në vit.
(REL)