Miratohet Projektligji për Institutin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë

Prishtinë, 14 shtator 2022 – Qeveria e Kosovës e miratoi të mërkurën Projektligjin për Institutin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në prezantimin e projektiligjit, tha se hulumtimi dhe verifikimi i informacioneve dhe të dhënave për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë i kontribuojnë përmbushjes së të drejtës së viktimave dhe që shoqëria të mësojë të vërtetën. Ajo theksoi se ky institut do të jetë mësim për mospërsëritjen e historisë.

Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se instituti do të themelohet në kuadër të Zyrës së Kryeministrit

“Instituti i krimeve të kryera gjatë luftës do të themelohet në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Vetëm me respektimin e duhur të së kaluarës mund të kemi një të ardhshme të ndritur”, tha Kurti.

Qeveria e Kosovës miratoi edhe Projektligjin për Prokurorin e Shtetit dhe Projektligjin për Prokurorinë Speciale.

Ministrja Haxhiu tha se Lligji për Prokurorin e Shtetit do të mundësojë funksionim më të mirë të sistemit të drejtësisë.

“Me këtë projektligj janë caktuar kompetencat e kryeprokurorit dhe të kryeprokurorëve në prokuroritë e Kosovës. Gjithashtu është rregulluar edhe funksionimi i zyrës së dhunës që do të funksionojë pranë zyrës së kryeprokurorit të shtetit”, tha ajo.

Ministrja Haxhiu, duke kërkuar miratimin e Projektligjit për Prokurorinë Speciale, tha se në këtë projektligji përcaktohen qartë kompetencat dhe përgjegjësit e Prokurorisë Speciale.

(r.m.)