Tiranë, 7 qershor 2024 – Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) e ka zgjedhur me shumicë votash, Mirela Bogdanin, drejtuese të re të këtij institucioni.
Në shpalosjen e platformës së saj përpara anëtarëve të KLP-së, Bogdani ka bërë me dije se do të angazhohet me përkushtim në realizimin e detyrave dhe fokusi i saj do të jetë në rritjen e transparencës së institucionit.
Zgjedhja e Bogdanit në krye të KLP vjen pas vakancës së krijuar me përfundimin e mandatit të ish-drejtuesit Alfred Balla.
Në mbledhjen e datës 27 maj, mes debateve të forta, KLP votoi me 9 vota pro dhe 1 kundër atë të anëtares Nurihan Seitaj, përfundimin e mandatit të Ballës.
Largimi i Ballës erdhi pas vendimit të KPA për përjashtimin e tij me 15 vite nga sistemi i drejtësisë, duke rrëzuar një vendim të shkallës së parë, KPK, që e mbylli procesin e tij pa një vendim
Sipas vendimit të KPA, Balla s’ka të drejtë për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.
Çfarë deklaroi Bogdani kur paraqiti platformën e saj si kandidate?
Me përkushtim dhe përgjegjësi maksimale, synoj të angazhohem. Une e kam nisur platformën time me email. E shikoj rolin e drejtuesit të këshillimit më shumë si rol kordinues. Dua të them se është shume e rëndësishme fryma e bashkëpunimit dhe kordinimit me partnerët ndërkombëtarë. Do të vijoj ndërkohë bashkëpunimin me të gjitha institucuonet e drejtesisë. Një fokus tjetër, do jetë bashkëpunimi me KLGJ.
Bashkëpunimi me ILD dhe me shkollën e magjistratures për rritjen e kapaciteteve, po ashtu do jenë në fokus. Është nje proces që ka hasur vështiresi, ka patur pengesa, sfida, kërkon kalkulim të mire të të dhënave. Gjithashtu synoj që, të rris nivelin e kapaciteteve njerëzore. Ndërkohë, do vijoja me zgjerimin e njohurive qe lidhen me etikën, është një fushë që deri më tani nuk ka gjetur diskutim. Është koha ti japim një jetësim tjetër. Një çështje tjetër që unë e kam përmendur si anëtar në KLP, është sistemi i menaxhimit te çështjeve.
Është një kompetence që lidhet më shumë me prokurorin e përgjithshëm, por do doja që Këshilli të ofronte asistencën e vet. Është në proces dizenjimi i këtij sistemi, do ofroja mbështetjen maksimale. Në fakt, deri me tani KLP nuk ka patur përfaqësimin e duhur dhe është e vështirë të gjesh institucione për të bashkëpunuar. Vetëm duke koordinuar punën, mund të arrijmë të performojmë më mirë.
Fokus tjetër, rritja e transparencës në KLP. Një fokus që unë e kam pasur të rëndësishëm, është ai i prokurorit të medias, pasi ështe prokuroria ajo që përballet në përditshëmi me publikun.
(Euronews Albania)