Nga Harry Bajraktari
Urime Dr. Elez Biberaj për daljen në pension nga Zëri i Amerikës pas një karriere të madhe që shtrihet në pesë dekada.
Ai u bë me të vërtetë zëri i Amerikës dhe zëri i demokracisë në vitet e fundit të sundimit komunist në Shqipëri, kur transmetimi i Zërit të Amerikës sfidonte regjimin dhe u jepte shqiptarëve shpresë.
Në vitet 1990, kur shtypi i lirë u ndalua në Kosovë, Zëri i Amerikës u bë burimi i vetëm i lajmeve të besuara për shqiptarët në Kosovë dhe në mbarë ish-Jugosllavinë. Shqiptarët kudo ku jetonin i njihnin zërat e atij brezi gazetarësh dhe drejtorësh të ekipit të Zërit të Amerikës duke përfshirë Dr. Elez Biberaj, Frank Shkreli, Shaqir Salihu dhe shumë të tjerë, të cilët jepnin lajme vendimtare për jetën dhe luftën e tyre për liri.
Pas shumë vitesh si Shef i Shërbimit Shqiptar, Dr. Biberaj, u bë Drejtor i Divizionit të rëndësishëm të Euroazisë dhe më pas Drejtor i të gjithë Zërit të Amerikës.
Ashtu si unë, edhe Elez Biberaj erdhi në këtë vend në moshë të re dhe përqafoi mundësitë që të jepte ky vend i madh, por pa harruar kurrë se nga vinte. Ne pothuajse jemi rritur bashkë dhe ndajmë shumë kujtime së bashku.
Elezi dhe Familja Biberaj kanë kontribuar shumë për të ndryshuar fatin e kombit tonë dhe komunitetet kudo ku kanë jetuar e vazhdojnë të jetojnë. Ata kanë shkëlqyer në shumë fusha të jetës dhe mbeten një frymëzim për shqiptaro-amerikanët.
Sot e falenderojmë për kontributin e tij të madh për lirinë, demokracinë dhe gazetarinë jo vetëm për shqiptarët, por për njerëzit në mbarë botën.
Në emër të familjes sime i uroj gëzim dhe lumturi në kapitullin e ardhshëm të jetës.