Miroslav Lajçak do ta vizitojë Kosovën të premten

Bruksel, 5 shtator 2024 – Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pritet të vizitojë Kosovën të premten, më 6 shtator, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet e saj në Bruksel.

Kjo vizitë, siç ka deklaruar edhe vet Lajçaku javën e kaluar, ka për qëllim përgatitjen e një takimi në nivel kryenegociatorësh në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas burimeve, këtë herë Lajçak nuk do ta vizitojë Beogradin.

Javën e kaluar, në margjina të forumit për siguri, Globsec, në Pragë, emisari evropian u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në Pragë ishte edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, por ajo nuk u takua me Lajçakun. Sipas këshilltarit për medie të Presidentes Osmani, Bekim Kupina, Presidentja kishte një agjendë të caktuar më parë që e bëri të pamundur një takim me zotin Lajçak.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka përsëritur thirrjet drejtuar autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar që, sipas BE-së, mund të rrisin tensionet në pjesën veriore të vendit. Brukseli ka thënë se të gjitha  Brukseli ka thënë se të gjitha  çështjet e hapura midis Kosovës e Serbisë duhet të trajtohen në dialogun midis dy vendeve.

Edhe Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania dhe Gjermania kanë kërkuar që çështjet e hapura të zghidhen me mjete politike. Ato e kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për, siç kanë thënë, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Këto kritika erdhën pas mbylljes së zyrave të Postës së Serbisë dhe të zyrave të komunave paralele të Serbisë në katër komunat veriore të Kosovës (Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok) që funksiononin në kuadrin e sistemit të Serbisë dhe pas paralajmërimit të Qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve.

Kundër hapjes së Urës së Ibrit pa një marrëveshje politiuke është sshprehur edhe Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR.

(r.m.)