“Diktatura më e rrezikshme, është ajo, që paraqitet me maskën e demokracisë!”
“Diktatura ma e rrezikshme, asht ajo, që paraqitet popullit me maskën e demokracisë!”, At Pjetër Meshkalla, Jezuit, martir i Kishës Katolike Shqiptare, gjigand i fesë dhe i kulturës shqiptare – në përvjetorin e arrestimit të tij më 29 prill të vitit 1967 nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. “Një pishtar i demokracisë” dhe simbol i inteligjencës së përsekutuar katolike shqiptare nga komunizmi emverist, At Meshkalla ishte dënuar dy herë me 25 vjetë burgim, gjithsejt – si kundërshtar i regjimit enverist — për “agjitacion e propagandë”, nga regjimi komunist i asaj kohe.
Duke lexuar disa shkrime për fatin e keq të tij nën komunizëm në këtë përvjetor (muajin që kaloi) të arrestimit të tij, përfshir kujtimin që I bëri Radio Vatikani shqip, më ra në sy citimi i mësipërm i At Pjetër Meshkallës, i quajtur ndryshe “Engjëlli i birucave”, për predikimet e tija në burgjet komuniste. Një thënje kjo që më tërhoqi vëmendjen, sidomos, duke pasur parasysh zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit në Shqipëri, por edhe të gjithë historinë e tranzicionit të ashtuquajtur post-komunist në Shqipëri, këto tre dekadat e kaluara. Dihet se për 30-vjet tranzicion, nga një sistem në tjetrin, Shqipëria, asnjëherë, deri më sot, nuk ka mbajtur zgjedhje të lira e të ndershme me standarde ndërkombëtare dhe të pakontestueshme. Si rrjedhim, Shqipëria, asnjëherë, nuk është renditur me shumicën e vendeve si motra post-komuniste, që organizatat ndërkombëtare të drejtave njeriut si dhe qeveritë perëndimore, i kanë cilësuar si vende “plotësisht të lira” gjatë tre dekadave të fundit, por gjithmonë Shqipëria është cilësuar dhe cilësohet edhe sot si një shtet, “pjesërisht i lirë”. Janë disa faktorë që organizatat dhe qeveritë perëndimore përdorin për të identifikuar vendet e botës se në cilin prej këtyre dy grupeve bejnë pjesë ato ose edhe në grupin e tretë, si “vende jo të lira”, por një ndër faktorët e rëndësishëm që një vend të karakterizohet si “plotësisht i lirë” si dhe baza e një shoqërie të lirë është, natyrisht, mbajtja e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike, bazuar në disa vlera, liri, parime dhe të drejta ndërkombëtare. Pa zgjedhje të lira nuk mund të jesh vend i lirë e demokratik.
Fatkeqësisht, në këto 30-vjet tranzicioni, asgjë nuk ka ndryshuar për më mirë në Shqipëri, sidomos kur është fjala për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të ndershme, bazuar në një numër faktorësh dhe parimesh ndërkombëtare, kryesisht të botës perëndimore. Për fat të keq, këtë, po e provojnë edhe zgjedhjet e fundit, ndonëse procesi i të cilave nuk ka përfunduar ende. Gjatë viteve kam shprehur mendimet e mia se pse ndodhë kjo në Shqipëri, madje edhe tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit, se pse “zgjedhjet” në atë vend nuk sjellin asnjë ndryshim për më më mire në shoqërinë shqiptare. Shpeshëherë kam thenë se problemet me të cilat është përballur Shqipëria, në të gjitha fushat shoqërore, politike, ekonomike, integruese e të tjera, e kanë bazën në të kaluarën komuniste të vendit si dhe në refuzimin e kësaj klase politike 30-vjeçare që qeverisë Shqipërinë, për tu përballur seriozisht me atë histori të tmershme, ndryshe nga shumica e vendeve ish-komuniste të Evropës. Zgjedhjet e 25 prillit nuk bënë asgjë për të më bindur se diçka ka ndryshuar për më mire, në këtë mes. Falënderës Zotit që Shqipëria është në NATO sepse mos të ishte anëtare e NATO-s, nuk jam i sigurt se cili do ishte fati i saj sot, e udhëhequr nga kjo klasë politike aq e papërgjegjëshme për fatet afatgjat dhe afat shkurtëra të Kombit.
Dikush mund të thotë, në rregull, po çfarë ka të bejë i ndjeri At Pjetër Mëshkalla me aktualitetet politike të tranzicionit Shqipëri, përfshir edhe zgjedhjet e tre dekadave të fundit në Shqipëri, një vend që 30-vjet si sot vazhdon të cilësohet nga perendimorët si një shtet, “pjesërisht i lirë”. Shumë veta, brenda dhe jashtë Shqipërisë, përfshir opozitën, i pritën këto zgjedhje me shumë entuziazëm, si mundësinë për “ndryshimin e madh”, si “këthesën historike”, e tjera. Unë nuk isha aspak entuziast për këto zgjedhje (rezultati përfundimtar i të cilave mbetet ende për tu parë falë ankesave për ç’rregullime, megjith nxitimin e ndërkombëtarëve për të bërë urimet e rastit) dhe as nuk isha optimist se këto zgjedhje do të sjellin ndonjë ndryshim të madh në Shqipëri, sepse ndryshimi i vërtetë dhe i sinqert kërkon, në themel, ndër të tjera, zgjedhje vërtetë të lira e të ndershme dhe jo vetëm urimin e ndërkombëtarëve, për t’i berë ato legjitime dhe një mjet që ato të sjelli “ndryshimin” aq të nevojshëm politik dhe ekonomik në Shqipëri dhe që të ndalohet zbrazja e trojeve nga rinia shqiptare. Koha do e tregoj se kush ka të drejtë! Por një gjë nuk është e drejtë as e pranueshme, që sot pas tre dekadash tranzicion, Shqipëria në qendër të Evropës, vazhdon të konsiderohet një vend “pjesërisht i lirë”.
Gjatë viteve, jam shprehur, në përputhje me shumë kolegë të mijë në përendim, se është e domosdoshme që Shqipëria të përballet me historinë dhe krimet e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, para se në Shqipëri të mund të ketë ndonjë ndryshim domethënës të jetës politike dhe shoqërore. Kjo nuk ka ndodhur. Përkundrazi, gjatë fushatës së fundit në Shqipëri, udhëheqës të lartë të Partisë Socialiste në pushtet, përfshir Kryeministrin dhe kandidatë me profil të lartë të kësaj partie, haptazi dhe publikisht dhe me krenari folën për “meritat” dhe për të “mirat” e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Po si ndodhë që në Shqipëri, ndryshe nga çdo vend tjetër i Evropës ish-komuniste, nuk po ndodhë ndryshimi që miliona shqiptarë anë e mbanë trojeve dhe në mbarë botën prisnin dhe presin se do ndodhë? Përgjigjen na e jep viktima e ish-regjimit komunist, At Pjetër Meshkalla, në përvjetorin e burgosjes së tij në prill të vitit 1967, i cili citohet të ketë thenë se pseudo-demokracia nuk sjellë ndryshimin. Se një shtet “pjesërisht i lirë”, siç kategorizohet sot Shqipëria, nuk garanton as të drejtat më themeltare të njeriut dhe jo më të sjellë “ndryshimin”, me votën e lirë të shqiptarëve. Si të ketë ndryshim nepërmjet zgjedhjeve ku haptas blihet vota dhe ku qeveria në fuqi përdori burimet shtetërore në favor të vetin, sipas ODIHR-it?
Se pse në Shqipëri nuk mund të ndodhë ndryshimi që zakonisht pritet nga zgjedhjet e lira në një vend normal, përgjigjen na e jep një i ish-burgosur i komunizmit eneverist, At Pjetër Meshkalla, i cili është shprehur se asgjë e mirë nuk mund të vijë nga një pseudo-demokraci, ku, “Autokracia me makijazh demokratik lëshon rrenjë më të shëndosha se sa vet diktatura e shpallur tek një popull i lodhur e i demoralizuar, i cili bie në prehërin e saj symbyllas”. At Pjetër Meshkalla, Pishtari i demokracisë shqiptare, ka paralajmëruar se pasojat e rënda të autokracisë me makijazh demokratik, “janë më afatgjata se ato të një diktature të ligjëruar mbasi populli i shpresëhumbur gjunjëzohet prej deshpërimit duke u bërë një pre e lehtë për despotët e rinj me grim demokratik”. Në një shkrim botuar në portalin, “Radi and Radi”, At Meshkalla citohet të ketë thenë se, “duke i lenë kastile të hapura dhe të pa mjekuara plagët e diktaturës ato do të infektohen dhe shoqëria shqiptare do të gangrenizohet duke u dobësuar dhe ç’orientuar progresivisht derisa të katandiset në një turmë të hallakatur lypësarësh të nënshtruar.” Për më tepër thekson At Meshkalla, “Pseudo-demokracia është një anarshi e organizuar me qëllim që pushtetarët despotë dhe bashkpuntorët e tyre mëkatarë të përfitojnë në mënyrë të paligjshme atë që ua ndalon ligji i tyre fasadë mashtrimi!”
Shpresoj se si “fituesit” ashtu edhe “humbësit” e zgjedhjeve të fundit në Shqipëri, por edhe ndërkombëtarët të cilët për 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit vazhdojnë të mos njohin realitetin e “autokracisë shqiptare me makijazh demokratik”, si pengesën kryesore drejtë një shoqërie vërtetë të lirë e demokratike — të reflektojnë edhe kësaj radhe me rastin e zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri dhe të mbajnë përgjegjëse këtë autokraci shqiptare me makijazh demokratik për gjëndjen aktuale politike dhe ekonomike në atë vend.
“Prej të parëve tanë pritëm nji Shqipni të lirë! Nipat presin prej nesh nji Shqipni të lumtun!”, citohet të jetë shprehur At Pjetër Meshkalla. Fatkeqësisht, unë e kam vështirë të besoj se zgjedhjet e 25 prillit– sido që të karakterizohen ato nga ndërkombëtarët — nuk japin asnjë përspektivë as shpresë për një Shqipëri më të lumtur dhe vërtetë të lirë dhe demokratike perëndimore, siç e dëshironte brezi i At Pjetër Meshkallës, por – as brezat e tanishëm nuk kanë ndonjë arsye të jenë më optimist për të ardhmen e Kombit shqiptar!
Uroj të jem i gabuar!. Zot ndihmojë shqiptarët në këtë periudhë të historisë së tyre!
Keni shume te drejte;ashtu si gjithemone; persa shkruani, Shume i Nderuari Intelektual Atdhetar z.Frank Shkreli
Nuk ma mer mendja se harroni faktin:ne Shqiperine e sotme prej 1991 ju eshte dhene e “drejta per komandim” nga paraardhesit e tyre enverokomunista; atyre qe nuk e kane njohur Pronen, Besimin dhe Besen Shqiptare’aqe me pak Traditat Mikepritese Dashamirese. Ata jane Superpasuruar me rrembimet, vjedhjet, koncesionet dhe shitjen e vendit duke ju perulur shovinistave fqinje por edhe te huajve qe nuk na kane dashur asnjehere, duke e coptuar vendin tone;tamam ashtu si e pershkruani:” nuk japin asnjë përspektivë as shpresë për një Shqipëri më të lumtur dhe vërtetë të lirë dhe demokratike perëndimore, siç e dëshironte brezi i At Pjetër Meshkallës,
Me falni nuk jam plotesisht dakort me nje thenie te nje avokati:Malokun mbasi i ka hypur kalit, vetem plumbi e zbret
ILLYRIA drejtuar nga z.Ruben Avdiu; eshte gazete Shqiptare e Vertete per vazhdimesine e Shqiptaresise
Faleminderit z. Frank e zRuben