Moskë, 22 prill 2021 – Mjekët privatë të kritikut të Kremlinit Aleksei Navalny i kanë bërë thirrje atij që menjëherë t’i japë fund grevës së urisë.
Navalny e ka refuzuar ushqimin në burg tash tri javë.
Kardiologu Yaroslav Ashikhmin dhe katër mjekë të tjerë, përmes një deklarate, kanë njoftuar se janë duke i kërkuar Navalnyt që “menjëherë ta ndërpresë grevën e urisë, që ta ruajë jetën dhe shëndetin e tij”.
“Nëse greva e urisë vazhdon edhe pak më gjatë, ne thjeshtë nuk do të kemi kë ta trajtojmë”, thuhet në deklaratën e mjekëve, tëcilën e ka publikuar agjencia e pavarur e lajmeve në Rusi “Mediazona”,.
Mjekët e tij kanë thënë se falë reagimit të fuqishëm publik, autoritetet janë detyruar ta dërgojnë Navalnyn në një spital civil, ku ka pasur qasje në “diçka që duket si ekzaminim i pavarur”.
Aleksei Navalny, 44-vjeçar, ka hyrë në grevë të urisë më 31 mars, për shkak se atij nuk i është lejuar të ketë trajtim të denjë shëndetësor për dhembjet në shpinë dhe për mpirjet e këmbëve dhe të duarve.
Fundjavën e kaluar, mjekët e Navalnyt kanë thënë se ai mund të vdesë “çdo minutë”.
Refuzimi i ndihmës mjekësore që ka kërkuar Navalny ka hasur në reagim të gjerë në Rusi. Mbi 1.900 mbështetës të tij janë arrestuar gjatë protestave.
Përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të Navalnyt është pritur me shqetësim në Perëndim. Qendrat kryesore kanë paralajmëruar se Moska do të përballet me”pasoja”, në rast se Navalny vdes për shkak të refuzimit që mjekët e tij ta vizitojnë në burg.
(r.m.)