Mjeku Tritan Kalo njofton se pas pensionimit do të largohet përfundimisht nga Shqipëria

Tiranë, 1 prill 2023 – Mjeku i njohur infeksionist, Tritan Kalo, përmes një mesazhi në Facebook, ka zbuluar se pas pensionimit të tij, në korrik të këtij viti, do largohet përfundimisht nga Shqipëria për të jetuar larg vendit.

Kalo ka zbuluar se ai do të vazhdojë jetën në Victoria të Kanadasë, ku i ka kaluar afër 12 vjet, prej vitit 1997 deri nëvitin 2009.

“Edhe pak muaj na ndajnë nga 18.07.2023, datë që do të shënojë edhe kthimin tim përfundimtar, pas pensionimit në Shqipëri, këtu në Victoria, BC, Canada…”, ka shkruar mjeku i respektuar, Kalo.

Por, ai ka theksuar se, edhe pse do të largohet nga Shqipëria, në çdo qelizë i është “gjurmëzuar Shqipëria dhe Shqiptarizma”.

“Gjithsesi, në çdo qelizë timen përjetësisht është gjurmëzuar Shqipëria dhe Shqiptarizma… Together forever!!!”, ka theksuar ai në mbyllje të postimit.

Postimi i plotë:

1.04.2023….Muaj PRILLI të mbarë miq, të afërm, mirëdashës, kolegë e bashkëkombas….1.04.1997 shënon ditën e mbërritjes sonë në ishullin e Vankuverit të Kolumbisë Britanike, Kanada, fillimisht për dy vite në Nanaimo ku më 7.08.1998 erdhi në jetë bija jonë e tretë, Genta Juna Kalo, dhe prej 1.07.1999 e në vijimësi në kryeqendrën e provincës, Viktoria….Prej Shtatorit 1996 i kishim në dorë dokumentet e emigrimit për në Kanada, por megjithatë hezitonim shumë të largoheshim nga “Dheu ku na kish lerë koka”….Ishim të instaluar shumë mirë në Paris, Francë ku unë edhe studiova, por së bashku me time shoqe dhe dy vajzat e lindura në Shqipëri vendosëm të riktheheshim në fillimvitin 1993, me idenë e dëshirën të kontribuonim në ZHVILLIMIN dhe në DEMOKRATIZIMIN, e vendit tonë të dalë nga 45 vite diktaturë….”Guri i rëndë në vend të vet” ishte diçka, që prindërit na e kishin ushqyer përditë me dashurinë për NËNË LOKEN SHQIPËRI….Pozicionin profesional të punës në Paris, të marrë përmes konkurrimit kurrë nuk mbërrita ta marr në vendin tim, edhe pse i Diplomuar me “Medalje të Artë” në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Tiranës dhe i vetmi mjek në atë kohë i Diplomuar në një prej 100 universiteteve më në zë në Botë, Universiteti Paris 7, Fakulteti i Mjekësisë “Xavier Bichat” në dy domene të rëndësishme të mjekësisë klinike: 1- Sëmundjet Infektive e Tropikale, dhe 2- Reanimacionin Mjekësor….Viti i praptë 1997 na krijoj angështinë e vijimësisë së jetës në Shqipëri… PROFESIONALIZMI, PËRKUSHTIMI dhe PUNA pak u vlerësuan në atë kohë, dhe ato përsëri pak u vlersuan pas rikthimit tim nga Kanadaja në Korrik 2009, kur “gëzova edhe statusin e të papunit” për një vit si dhe të mos rikthimit në auditorët e dijedhënies në vijimësi deri më sot… NËSE nuk je konformist, militant apo një servil i delezuar pas forcave politike të dala me shpalljen e pluralizmit në Shqipëri më 15.12.1990, pak ose aspak të ofrohen mundësitë e dhënies së më të mirës tënde si Mantelbardhë i panjolltë… KËTË gjë nuk duan t’a pranojnë myteberët politikbërës në Shqipëri, ndaj edhe i mirëkuptoj shumë kolegë përse ata largohen nga “Dheu i të parëve të tyre”… FATKEQSISHT “Partia, Kryetari” prevalonin e vijojnë të prevalojnë mbi Profesionalizmin dhe Interesat socio-politiko-ekonomiko Demokratike e Kombëtare… Fotot e mëposhtëme janë të bëra në Victoria, ku jeton edhe vajza e vogël e tezes së bashku me bashkëshortin e saj… Jemi këtu pesë familje të një lidhje shumë të afërt mes nesh: Familja Kalo Jr vetë i pestë, Familja Veizaj vajza e tezes vetë e tretë, im nip Familja Leka vetë i pestë, ime mbesë Familja Pashaj vetë i katërt, dhe Familja Qirjako ime vjehrre dhe im kunat vetë i katërt, si dhe shumë miq shqiptarë nga Shqipëria londineze, nga Kosova e viset e tjera Arbërore… Edhe pak muaj na ndajnë nga 18.07.2023, datë që do të shënojë edhe kthimin tim përfundimtar pas pensionimit në Shqipëri, këtu në Victoria, BC, Canada….Gjithsesi në çdo qelizë timen përjetësisht është gjurmëzuar Shqipëria dhe Shqiptarizma….Together forever!!!

(r.m.)