Moisiu, Mejdani, Topi, Majko dhe Pacolli vizitojnë ish krerët e UÇK-së në Hagë

Hagë, 29 shtator 2022 – Ish-presidentët e Shqipërisë, Alfred Moisiu, Rexhep Mejdani dhe Bamir Topi si dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, të shoqëruar nga lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AKR) Behgjet Pacolli janë brenda objektit për tu takuar me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, të cilët po mbahen në qendrën e paraburgimit, në Hagë.

Telegrafi ka kontaktuar këshilltarin e kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj, i cili konfirmoi se ish liderët janë brenda objektit për tu takuar me ish krerët e UÇK-së.

“Kanë hyrë brenda”, ka thënë shkurt për Telegrafin, këshilltari i tij, Jetlir Zyberaj.

Kjo vizitë po zhvillohet me iniciativë të kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli.

Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë prej muajit nëntor të vitit 2020. Ata akuzohen për krime lufte dhe kundër njerëzimit, gjatë luftës në Kosovë.

Të gjithë të akuzuarit, në paraqitjet e tyre para gjykatësit të procedurës paraprake, kanë deklaruar se janë të pafajshëm.

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka thënë se procesi gjyqësor ndaj tyre pritet të fillojë në pranverë të vitit të ardhshëm.

(r.m.)