Tiranë, 4 janar 2023 – Ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, e akuzoi politikën për kapjen e sistemit të drejtësisë. Ai tha se është pikërisht politika ajo që e ka prishur drejtësinë për interesat e veta, me qëllim që të mos dalin sheshit abuzimet.
Në një intervistë për Euronews Albania, ish-kreu i shtetit shqiptar tha se në burg çohen policë e mjekë, ndërsa nuk preken zyrtarët e lartë, si kryeministri, ministrat apo deputetët.
“Ne duhet të bëjmë një revolucion në drejtësi dhe ajo që u bë ishte revolucion. Politika e prishi drejtësinë. Pse e prishi? Sepse i duhet që abuzimet mos dalin sheshit. Çon në burg, policin, infermierin, mjekun ,një sekretar etj, por ministri, kryeministri, deputeti ata janë të paprekshëm. Kështu nuk bëhet. Populli thotë: ‘Peshku qelbet nga koka’. E pra, duhet të pastrohet koka”, u shpreh ai.
Ish-presidenti Moisiu i akuzoi politikanët edhe për nivelin e lartë të korrupsionit në Shqipëri.
“Korrupsioni është gangrena e një vendi. Ne e kemi në nivelet më të larta. Politikanët nuk janë ulur dhe të thonë pse vjedhin”, tha ai.
Mosiu tha se politika është mision dhe se ai që futet në politikë duhet t’i shërbejë vendit dhe jo të punojë për interesat e veta.
“Politika është mision, nëse hyn duhet t’i shërbesh vendit. Është njësoj si ne që u futëm në luftë. Shokët e mi janë vrarë, por nuk u vranë për t’u bërë ministra, u vranë për atdheun. Duhet vërtetë që të kemi një idealizëm. Politikani duhet të jetë idealist, idealist ndaj vendit tend”, tha ai.
“Unë kam propozuar që politika të bëjë një pakt. Të vendosë nivelin e ndryshimit. Ndryshimi i pushtetit nuk mund të jetë ndryshimi i shtetit”, tha ndër të tjera ish-Presidenti Moisiu.
(r.m.)