MOJ BOLENË E LESKODUKE!

Nga Mihal Gjergji, poet

Më ka ndodhur disa herë të kaloj ndanë udhës ku shfaqet Bolena, si një fole shqiponjash mbështetur në shpatullat e Çipinit. Poshtë këmbëve të fshatit rrjedh Shushica, enkas për të larë gjakun e plagëve shekullore. Dhe vazhdon rrjedhën gjersa bashkohet me lumin e Smokthinës për të mbritur pastaj në gjirin e Adriatikut.

Histori dhe fate, jo rrallë të kryqëzuara. Fise të vjetër tashmë të harruar dhe të tjerë të ngritur mbi rrënojat e të parëve. Thuhet se Amantët dhe Kaonët kanë jetuar në gjitoni dhe kanë mbrojtur njëri-tjetrin. Asgjë nuk dimë veç shënimeve që kanë lënë kronikanët. Barbarët që kanë shkretuar Jugun e Arbërisë kanë zëvëndësuar njëri-tjetrin, por asnjëherë s’janë ndjerë të mirëseardhur, sepse janë pritur me plumba dhe jataganë nga banorët vendas.

Ndërgjegja s’mund të ketë tjetër emër veç vendosmërisë; për të ruajtur nderin, për të mbrojtur pragjet dhe vatrat, për t’i dalë zot Atdheut në kohët e tij më të rënda. S’po flasim për turmat. Jo! Janë emërshquar ata që kanë fituar pavdekësinë, kanë krijuar një tjetër kohë, përtej harresës dhe kronikave dëshpëruese. Pse mos ta themi, individualizmi shënjon lartësinë e njeriut, qëllimin e tij më fisnik.

Dhe ja ku jemi, në Bolenën e historive që kanë marrë përmasat e legjendës, ndryshe, ato bëma s’do tirreshin aq hollë nga njëri brez te tjetri. I dëgjojmë dhe ndjejmë krenari, për atë brez që lindi enkas për ne, të na frymëzojë qëndresën dhe të bindemi që rrënjët tona janë të thella.

“Moj Bolenë e Leskoduke/ Të ngriu palla mbi supe”.

Në defterët osmanë të viteve 1431-1432, në Krahinën e Kurveleshit përfshiheshin 33 fshatra. Pikërisht qëndresa e tyre i detyroi pushtuesit e hershëm dhe sundimtarët e rinj, ta coptojnë kohë pas kohe, për të mbetur sikundër e kemi sot, katandisur kokoshi një thelë.

T’i largohemi disa çaste egoizmit të brezit tonë dhe fodullëkut të pamerituar, e të flasim për Leskodukajt, sepse me Bolenën krenohet Kurveleshi, ndërsa me Kurveleshin mburret Labëria. Ishte viti 1847. Kapedanët e Labërisë organizuan qëndresën kundër zbatimit të reformave skllavëruese të Tanzimatit.

“Leskodukaj-të të shtatë/ Luftojnë me një rigatë”.

Dhe e dini kush janë këta? Guxhe, Barjam, Karafil dhe Bilbil Lesko, me një fjalë, katër lisa nga korija hijerëndë e fisit Lesko. E krah tyre ishin edhe Sadik e Birçe Guxha, sikurse Lesko Mingo. Tre të fundit vdiqën të interrnuar në Triestan të Turqisë. S’kemi mundur të mësojmë ligjërimin e nënave apo motrave mbi trupat e këtyre martirëve, sepse jemi të largët në kohë dhe kanë kaluar 177 vite. Shamizezat e Labërisë kanë zëvëndësuar kronikat e munguara dhe kanë bërë “jetëshkrimin” e seicilit prej atyre që na mësuan si duhet vdekur. Dhe luftëtarët kanë emra. Vargjet e një kënge të shtruar na sjellin dhimbjen e asaj ngjarjeje tronditëse.

“Dërgon një letër veziri/ O Sadik e o Lesko/ Leskodukaj-të t’i ziri/ Në Janinë lidhur ti bini…”

E madhe ka qënë urrejtja e vezirëve dhe pashallarëve osmanë. E çuditërisht, Janina jonë e bukur u bë varri i shumë luftëtarëve shqiptarë, gjer te Bilbilenjtë që u varën në degët e rrapit.

“Gjemitë e detit errinë/ Për të lidhur parësinë”.

Trimat e Leskoduke që ishin krahu i djathtë i Zenel Gjolekës, mbetën në histori dhe në këngë. Por jo vetëm ata.

“Kallarat, Kuç e Bolenë/ Te lumi zunë dyfeknë”.

Hodo Nivica, Balil Nesha e të tjerë trima zbritën nga lartësitë e Kurveleshit për t’iu bashkuar uraganit të madh kryengritës. Rrënqethëse janë vargjet e ruajtura si diamante të çmuara në epikën historike; “Ç’është ajo që po shkon tutje/ Pallë e larë e Leskoduke”. Me siguri bëhet fjalë për ata trima që u zunë të gjallë nga serasqerët e sulltanit dhe u degdisën larg dheut e vatrave të tyre. Duket sikur lëviz një mal i lartë me Bolenën në prehër, për të mbetur përjetësisht në portat e baladave dhe në kujtesën tonë; “Bolenë, trimja Bolenë/ Zure dyfekun me mbrenë!”

Tiranë, Maj 2024.