Prishtinë, 28 dhjetor 2021 – Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSD), Dardan Molliqaj, ka njoftuar sot se ka marrë ftesë nga Policia e Kosovës për të dorëzuar dëshmitë lidhur me dyshimet për nxcjerrje të qëllimshme nga funksioni të dy blloqeve të termovcentralit Kosova A, A3 dhe A5.
“Sot, kam pranuar ftesë nga Policia e Kosovës, gjegjësisht Departamenti për Krime dhe Korrupsion, për të dorëzuar dyshimet dhe pyetjet që i kemi ngritur në konferencë për media në lidhje me rënien e dyshimtë të Bllokut A3 dhe A5”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.
Ai ka kërkuar ndihmën e gjithkujt që mund të ketë informacione shtesë qëdo të provonin dyshimet e tij.
“Ftoj të gjithë njohësit e fushës së energjisë, secilin punëtor të KEK dhe KEDS dhe çdo qytetar që mund të ketë informata shtesë në lidhje me këtë çështje dhe çështje të tilla që t’i dorëzojë tek unë. Të gjitha informatat do të trajtohen në konfidencialitet të plotë. Nesër, gjatë ditës, gjetjet tona do t’i dorëzojmë në Polici”, ka shkruar Molliqaj.
Ditë më parë, në një konferencë për media, Molliqaj kishte deklaruar se rënia e bllokut A3 dhe bllokut A5 është shkaktuar qëllimisht nga Kompania për Shpërndarjen e energjisë, KEDS, menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës, KEK, dhe Qeveria e Kosovës.
“Sipas asaj që ne kemi informacione dhe që kërkojmë menjëherë një hetim të organeve përgjegjëse dhe ekspertëve të fushës, rënia e bllokut A3 dhe A5 brenda të njëjtit sekond duket që ka qenë e qëllimshme dhe e shkaktuar nga KEDS”, kishte deklaruar Molliqaj.
(r.m.)