(Sot, më 15 mars të vitit 2021, shfletojmë dhe kujtojmë Prelatin e Kishës Katolike shqiptare, mons. dr. Zef Oroshi, në 32 përvjetorin e kalimit në amshim të tij)
Shkruan: Lekë Mrijaj
Në historinë e një vendi, jo të gjithë personazhet, shtetërorë, apo klerik të kishës katolike që janë pjesë e saj, lënë gjurmë dhe realizojnë kthesa shumdimensionale historike, fetare, kombëtare e kulturore. Në këtë mozaik të historisë së Shqipërisë, hyjnë edhe një nga personalitetet komplekse që la një protokol e arkiv historik, kulturor, patriotik, diplomatik në historinë tonë është mons. Zef Oroshi. Emri dhe vepra e tij, nuk është lidhur ngushtë vetëm me besimin fetar të Kishës Katolike Shqiptare, por edhe me kulturën dhe historinë e re dhe të lavdishme të kombit shqiptar.
Gjeneologjia e familjes dom Zef Oroshit, daton ndër fiset e hershme dhe fisnike të fisit Orosh të Mirditës, të përmendur shumë herë për besë e trimëri.
Veprimtaria e tij është shumë dimensionale duke prekur disa segmente, letërsi, teologji, liturgji, politikë, diplomaci, shkenca filologjike etj. Disa prej segmenteve të veprimtarisë së tij janë studiuar nga studiues të ndryshëm e fillimisht nga studiuesi e publicisti, z. Tomë Mrijaj e shumë poet të tjerë të inspiruar edhe disa këngëtar duke reflektuar përmes kumtesave (edhe në Sesione shkëncore), këngëve rapsodike (me anë të telave të çifltelisë).
Mons. dr. Zef Oroshi, ishte një klerik, katekist e teolog i kishës apostolike, erudit karizmatik, njeri i dijes, misionar, orator, poliglot, publicist, atdhetar i shquar i kulturës shqiptare si dhe një nxënës shumë i dashur i dishepullit të tij – mësuesit të tij, dom Ndre Mjedës, ashtu siç thuhet edhe në dëshmitë e të tjerëve vet dom Zefi, gëzonte, autoritet e përkrahje, si në qarqe të larta nderkombëtare në Amerikë, po ashtu edhe në ato kishtare ortodokse e katolike e kulturore.
Njëkohësisht ishte ai i pari i cili nga gjuha greke e përktheu veprën “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve”, të cilën vepër menjëherë pas shqipërimit në vitin 1979, ia dhuroi me autograf Selisë së Shenjtë në Vatikan, gjatë një audiencë private Papa Palit VI-të, ndaj edhe më vonë nga Papa Pali VI-të mori titullin : MONSINJOR.
Mons. dr. Zefi, ishte themeluesi i parë i kishës katolike shqiptare “Zoja e Kshillit t’Mirë”, sot “Zoja e Shkodrës”, 361 West Hartsdale Avenue, Hartsdale, New York, 10530, gjë që në atë kohë edhe vetë gazeta prestigjioze “New York Times”, mons. dr. Zef Oroshin e konsideronin si një ndër pionierët e bashkimit të shqiptarëve pa dallim feje. Ai, në vitin 1973 ka pritur në Nju Jork, Shën Nënë Terezën, me të cilën së pari e kishte takuar në Itali qysh në fillim të viteve ’60-ta.
Është studiuesi i mirënjohur shqiptar e Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit në SHBA, publicisti, Tomë Mrijaj një biograf, kumbarë i cili ia ka dedikuar personalitetit të shquar të Kishës Katolike e diasporës sonë, themeluesit kyç të Kishës së Parë Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”, në SHBA mons. dr. Zef Oroshit.
Ndaj veç tjerash po e veçoj librin “Një jetë e shkrirë për fe dhe atdhe” i cili z. Mrijaj, veç biografisë jetësore e shugurimit, në mënyrë koncize dhe të konkretizuar ka pasqyruar prova e fakte për mons. Zef Oroshin, gjë qe në mënyrë koncize ka përshkruar veprimtarinë e kauzën e tij tipike të “TRINOMIT- FE, ATDHE, KULTURË”, pikërisht ndjekjen dhe përcjelljen e tij nga maskarenjtë e ideologjisë së kuqe famkeqe mesjetare “Enver-Hoxhiane” (të mbështetura nga kriminelet e filozofisë marksiste, leniniste komuniste e staliniste siç ishin Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Ramiz Alija e shumë të tjerë të cilët i njeh edhe historia jonë shqiptare) e cila ideologji famkeqe persekutonte intelektualët më elitarë të sojit të korifejve rilindas siç ishte edhe dom Zef Oroshi, cili në tre ditët e Pashkëve të vitit 1951, do t’i kalonte pyllin e Molungut në mes maleve të Mirditës, që për të ishte bërë një mburojë e Zotit dhe Kishë e mrekullueshme, ku, çonte meshë në gjirin e natyrës.
Me nismën e dom. Zef Oroshit, në bashkëpunim me parashutistat dhe luftëtarët e qëndresës, u mbajt një kuvend sekret në katundin Ungrej, Mirditë, nën pjesmarrjen e delegatëve nga Shkodra, Dukagjini, Puka, Luma, Mirdita, Lezha dhe Kurbini, kuptohet nën asistimin e parashutistëve: Gjon Gjinaj e Ndue Mëlyshi, të cilët diskutuan rrethanat e kohës ndaj me 9 Mars 1951 u zgjodhën antarë të Komiteti Kombtar të Maleve siç ishin: Haki Bushati, Jak Perjaku, Dom Zef Oroshi, Karlo Çoba, Ndrek Kakarriqi, Sul Hafizi, Preng Kol Gjomarkaj, Shaban Reqi dhe Ded Kol Ndreca.
Dom Zef Oroshi për tetë muaj kaloi mes grupeve të rezistencës antikomuniste nëpër male, duke mbajtur lart moralin e luftës kundër komunizmit dhe ideologjisë së saj ateiste, i cili gjatë një mbrëmje të idhët me plotë mundime dhe i plagosur edhe në fyt nga komunistët (siç dëshmohet edhe nga të dy dokumentarët – dosja e dëshmitarëve të familjes së dom Zefit, të realizuar javë më parë, familja e tij e mbetur në atdhe e qe përjetuan një katrahurë e ferr të vërtetë. Pikërisht veç nënës Dila e motrës Lukja arrestohet edhe vëllau i tij Ndou, arrestohet, torturohet e vdes nën tortura e izolimet e hetuesisë në Shkodër, ndërsa familjarët e tjerë përjetojnë një kalvar të gjatë e të mundimshëm internimesh e persekutimi shënimi im L.M.).
Dom Zefi kufirin e ish Jugosllavisë, në vitin 1952, e kaloi nën mbështetjen e Llesh Tarazhit duke u zhvendosur së pari në Kosovë për të kërkuar statusin e azilit politik të cilin e vëndosën të plagosur në Mitrovicë ( në fund të nëntorit të vitit 1952, ishte vizituar nga pader Tom Xhaja, famullitar i Kishës “Shën Gjon Pagëzuesi” në Zllakuqan e bashkfamiljari ynë, Nikollë P. Mrijaj, Ofiqar i Zyrës së Vëndit në ish/ Komunën e Zllakuqanit, me të cilin bashkfamiljari ynë Nikolla për dy herë radhasi me vonē e kishte ri/ takuar gjatë viteve ’80-ta në New York) i cili me vonë ka kaluar në Itali për nëntë vite dhe nga viti 1962 Amerikë deri me 15 mars 1989 ikjën e tij në amshim të të cilit eshtrat i prehën në New York të Amerikës.
Dom Anton Kçira deshmon se mons. Zefi, gjatë arratisjes së tij nga Shqipëria dhe ardhjes së tij në Kosovë nga ana e ipeshkvit Shkup-Prizren, imz. Çekada, i kishte ofruar mons. Zefit të shërbej si meshtar në famullinë e Zllakuqanit të Klinës , por për shkak të rrethanave që ishin, përndjekjes dhe pasigurisë së tij, ai nuk e kishte pranuar propozimin e imz. Çekadës, sepse mendjen e kishte të migroj dhe të veproj lirshëm në rrafshin fetar, kombëtar, njerëzor e kulturor në botën e lirë perëndimore, i cili përmes Kosovës migroj në Itali dhe tutje në SHBA., duke zhvilluar një veprimtari të pastërt gjithëpërfshirëse kombëtare).
Në vazhdim të librit:”Monsinjor Dr. Zef Oroshi – Një jetë e shkrirë për fe dhe atdhe” autori Tomë Mrijaj thotë se: ” Mons. Zef Oroshi ishte një mik i ngushtë prof. Ernest Koliqit të cilët bashkëpunonin s’bashku me ide e punime shkrimore me revistën autoritative kulturore-shkencore “Shejzat”, që asokohe dilte në Itali.
Ndaj me kalimin në amshim të prof. Ernest Koliqit, ishte atdhetari, meshtari i përvujtur, përkthyesi, shkrimtari, studiuesi, teologu dhe filozofi i mprehtë Mons. Oroshi i cili në faqet e revistës prestigjioze “Shejzat”, në numrin special të vitit 1975, ia ka dedikuar prof. Ernest Koliqit, qe do të thotë se shkruan plotë 12 faqe me deshmi, artikull i cili titullohet: “Fiket Ernest Koliqi, një pishtar i letërsisë e i kulturës shqiptare”, duke e analizuar personalitetin e shquar të kombit në shumë rrafshe shumëdimensionale.
Mons.dr. Oroshi, kishte miqësi të ngushtë me intelektualë e veteran të arsimit shqiptar dhe studiues e albanolog si prof. Karl Gurakuqin, poliedrikun dhe burrin e madh të shtetit Imzot Fan Stilian Nolin, gjë qe z. Mrijaj i përshkruan përjetimet e dom Zefit e Fan S. Nolit, duke e përshkruar tamam në frymën (e Koncilit të Dytë të Vatikanit) dashamirëse ekumenike të tij si një Ipeshkëv i besimtarëve të vet, por edhe si një atdhetar i madh, intelektual erudit të sojit të Dom Gjon Buzukit, imz. Pjeter Budit, imz. Nikollë Kazazit, imz. Pjeter Bogdanit etj., e qe mbetët një I LUMË për njohësit e tij.
Madje mons.dr. Zefi, dialogoi me Nolin shumë gjatë, si një ekumenik i papërsëritshëm (në prani të Kardinalit të Bostonit Caushing), për endrrën e moçme të bashkimit të dyja kishave simotra shqiptare ortodokse dhe katolike, pikërisht me Eminencën e Tij Kardinalin e New York-ut Terrence J. Cooke D.D., kardinalët italianë: Antoniutti dhe Giovanni Villot; poetin e romancierin e shquar modern, profesorin e Universitetit të Mynihut Martin Camaj, prof. Arshi Pipa, intelektual i shquar; përkthyesin në gjuhën angleze të poemës “Lahuta e Malcis” të poetit kombëtar Atë Gjergj Fishta, gazetarin e famshëm të Radios BBC në Londër (Seksionin e Gjuhës Shqipe), studiuesin dhe autorin e librit shkencor: “Historia e Shqipnis” Tajar Zavalanin (alias Tomas-Henry Zavalani); bashkëpunëtorin qysh nga numëri i parë në revistën: “Jeta Katholike Shqiptare” (1966), prof. dr. Rexhep Krasniqin, Lec Shllakun bashkëpunëtor i revistës dhe editor i revistave së diasporës, gazetaren e famshme të “The New York Timës”, Radios “Voice of Amerika” dhe në Zyrën e Shërbimeve Strategjike të ShBA-së, intervistuesen e shumë personaliteteve dhe presidentëve të Lindjes së Mesme, Nexhmije Zaimi; enciklopedistin nga Malësia e Madhe Prof. Mhill Marku; intelektualin e shquar pader Paulin Margjokaj O.F.M., që shërbente në Graz të Austrisë, prof. Zef Vorf Nekaj, poliglot, instruktor dhe hartues i teksteve të gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve të Huaja në Ministrinë e Mbrojtjes Amerikane në Montery, California, prof. Gjon Sinishta, botuesi për 15 vjet i revistës “Buletini Katolik Shqiptar”, poetin dhe editorin e “Diellit” (1909) Xhevat Kallajxhiun, i cili botoi shumë artikuj për komunitetin dhe Kishën Katolik Shqiptare në Amerikë; albanologun e shquar italian Atë Prof. Giuseppe (Zef) Valentini; Atë Danjel Gjeçaj O.F.M.; Dom Nikoll Kimza, me të cilin udhëtoi nga ish-Jugosllavia në Itali, bashkëpunëtor i ngushtë me revistat: “Hylli i Dritës”, “L.E.K.A.”, “Kumbona e së Diellës”, “Lajmëtari i Zemrës T’Jezu Krishtit”, etj.; Kolonel Abaz Kupi, prijës i denjë i lirisë shqiptare një bir dhe hero i vërtetë i Krujës së Gjergj Kastriotit, të cilit i kreu amanetin, duke i thënë meshë për shpirtin e tij për një vit me radhë; bisnesmenin e suksshëm në Boston veprimtarin, filantropilistin, patriotin dhe bujarin fisnik Anthony Athanas; Dr. Hamdi H. Uruçin M.D.; klerikët e nderuar: Dom Rrok Mirdita e famullitarin e sotshëm të Kishës “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj; misionarin e Krishtit, që shërbeu 10 vjet në Brazil dhe New York, Dom Lazër Sheldijën; kryetarin e Këshillit të Kishës, aktivistin e palodhur Tonin Mirakaj,Kapidanin e Mirditës Ndue Gjonmarku, jurist i lauruar në Itali dhe Kryetar i Bllokut Indipendent; mikun e tij të ngusht Baba Rexhepin, Kryegjysh Botëror i Teqes Bektashiane në Detroit; Dr. Çesk Ashta e Kolë Çuni; teologu, filozofi dhe profesori i shquar françeskani Prof. Dr. Andrea Nargaj; Prof. Luan Ahmet Gashin; Dr. Agim Leka; famullitari i Kishës së “Zojës Pajtore” në Detroit Dom Prek Ndrevashaj, Dr. Lec Zojzi M.D. etj. Etj. Megjithëkëtë, mons. dr. Zef Oroshi, pavarësisht sfidave, nuk e ndal aktivitetin e tij antikomunist edhe në mergatë e paralelisht me të sigurimi i shtetit komunist me agjentët e tij enverist, e ndjek këmba këmbës për ta likuduar për vite me rradhë deri ditën kur ai kaloj në amshim më 15 mars të 1989 në New York.
Ndaj ky portret do të mbetet model ideal perjetësije për tu studiuar nga brezat e rinj shkencëtarë të natyrave të ndryshme, të cilët për mons. dr. Zef Oroshin, do të mësojnë rrjedhimisht biografinë e përgjithshme jetësore dhe arkivat historike kombëtare e nderkombëtare për aktivitetin e gjithmbarshëm të mons. dr. Zef Oroshit.
Dhe krejt në fund e them edhe unë sikurse shumë bashkolegë të mij studiues se vertetë presim rivorrimin e eshtrave të mons. dr. Zef Oroshit në Shqipëri, gjë që është një nder dhe obligim t’ia bëjmë vetë Prelatit të vlerave të larta dioçezane shqiptare, në mënyrë qe eshtrat e tij të pushojnë në ndonjë Katedrale Mirditore në Shqipëri, pikërisht në ndonjë vend ku shërbeu me devocion profetik.
Pushoftë në paqe!
Referencë: “Mons. dr. Zef Oroshi – një jetë e shkrirë për fe e atdhe”, jetëshkrim, New York, 2009, “Long Kuvendit – në trinomin Fe – Atdhe – Perparim” (New York, 2019) dhe “Abati i Mirditës – Imzot Frano Gjini – Martir i kishës katolike” Shkodër, 2018, “Një jetë i përgjuar” (New York, 2020), që përbën Dosjen e Sigurimit për mons. dr. Zef Oroshin, “Dom Anton Kçira shërbestar i Zotit e i Atdheut” të autorit, Tomë Mrijaj